Në rrugën “Qemail Stafa” në Prishtinë, janë disa gropa mjaftë të rrezikshme.
Në këtë rrugë e cila është në afërsi të xhamisë në lagjen “Arbëria” e që përfundon në fshatin Shkabaj mungojnë kapakët e pesë pusetave.
Tri gropa janë në mes të rrugës, dy më në qoshe. Kjo gjendje është evidente që disa ditë, ndërkohë qytetarët po kërkojë nga Komuna e Prishtinës që të marr masa sa nuk është vonë.
B.P një banor i fshatit Shkabaj, në Prishtinë, që e përshkon çdo ditë atë rrugë, flet për rrezikun që u kanoset shofereve që nuk e njohin mirë rrugë.
“Ai që e ka sefte rrugën gjatë natës, jam i bindur që ka rënë në ndonjërën prej gropave. E paramendoni me të hy rrota e kerrit në të, mundet me ndodhë që ndokush të përfundojë me fatalitet. Këtë rrugë e frekuentoj nga dy here në ditë. Është shumë e rrezikshme me ju ikë atyre në mes, ngase duhet me dalë edhe në anën tjetër, e nëse në atë qaste është edhe një veture në krahun tjetër duhet me e ndal krejt veturën”, tha ai.
Kushtrim Prokshi, një qytetar që po e ngiste veturën në atë pjesë, thotë se i është dashur të lëviz shumë ngadalë deri në fund të rrugës nga frika e gropave.
“Ishin disa gropa pa kapak. Kam lëvizur shumë ngadalë deri në fund të rrugës se nuk e disha a po kryhen e ajo. Po besojë që me një investim prej 50 eurove Komuna mundet me zgjidh këtë problem. Nuk ka faj shumë edhe komuna këtu, me siguri i ka vjedh kapakët ndokush. Por, megjithëkëtë duhet të mbulohen urgjent”, thotë Prokshi.
Lajmi.net nuk ka mundur të marrë një prononcim nga autoritet komunal për këtë rrugë. Ndërkohë, ka edhe pjesë të tjera të rrugëve në Prishtinë ku mungojnë kapakët e pusetave.