Klinaku reagon pas vendimit të Gjykatës Speciale, e quan skandal faktin që Gucati e Haradinaj u dënuan, e ai jo

18:12 | 18 Maj 2022

Sot Gjykata Speciale ka dënuar me burg Gucatin dhe Haradinajn.

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku është shprehur i habitur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale me të cilin krerët e kësaj organizate Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim.

Klinaku tha në Frontal të T7 se emri i tij është përmendur në aktakuzë dhe në konstatimet e trupit gjykues dhe sipas tij “është çudia më e madhe” që edhe ai nuk gjendet në Hagë.

“Në aktakuzë po ashtu jam përmendur edhe unë qysh nga fillimi dhe të gjitha këto gjëra që i kanë bërë Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë të njëjtat që edhe unë i kam bërë së bashku me ta dhe është çudia më e madhe që ata janë atje dhe unë jam këtu. Dmth nuk e di se këta ose punojnë me direktiva të dikujt ose s’e di… kjo do të duhej të ishte skandal se nëse i dënon dy persona dhe thua se kanë punuar në grup, do të duhej të arrestohej krejt grupi”, tha ai.

Klinaku megjithatë theksoi se nuk kanë bërë publikim të dokumenteve.

Komento: