Klinika e Onkologjisë: Incidenca e sëmundjeve malinje në Kosovë mbetet e qëndrueshme

17:00 | 25 Mars 2026
klinika-e-onkologjise:-incidenca-e-semundjeve-malinje-ne-kosove-mbetet-e-qendrueshme

Klinika e Onkologjisë ka bërë të ditur se trendi i paraqitjes së sëmundjeve malinje në Kosovë ka mbetur i qëndrueshëm gjatë viteve të fundit.

Sipas të dhënave zyrtare, çdo vit regjistrohen mesatarisht rreth 2100 raste të reja të kancerit, shifër që paraqet një situatë të menaxhueshme dhe të monitoruar nga profesionistët shëndetësorë.

Vetëm gjatë periudhës janar – 20 mars të këtij viti, në Klinikën e Onkologjisë janë pranuar dhe trajtuar për herë të parë rreth 500 pacientë të rinj. Ata kanë kaluar nëpër proceset e ekzaminimit, diagnostikimit dhe trajtimit sipas standardeve bashkëkohore, duke reflektuar përkushtimin e vazhdueshëm të stafit mjekësor për të siguruar kujdes të plotë dhe të sigurt.

Sipas Klinikës, incidenca e sëmundjeve malinje në Kosovë mbetet më e ulët krahasuar me disa vende të rajonit, ndërsa situata vlerësohet të jetë stabile dhe e mbikëqyrur me kujdes. Institucioni thekson se po punon në mënyrë të pandërprerë për avancimin e shërbimeve onkologjike, diagnostikimin e hershëm dhe trajtimet moderne, me qëllim përmirësimin e rezultateve klinike për pacientët.

Klinika e Onkologjisë paralajmëron se do të vazhdojë të investojë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike, si dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontrolleve të rregullta. Këto përpjekje synojnë të kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit publik dhe mirëqenies së qytetarëve në të gjithë vendin.

Komento: