Klubet mund ta marrin Messin pas 10 ditësh “gratis”

16:37 | 21 December 2022

Pas 10 ditësh, klubet mund ta marrin Messin “gratis”.

Lionel Messi pas 10 ditësh do të jetë i lirë të nënshkruajë parakontratë me klubin e ri.

Kampioni i freskët i botës ka kontratë me Paris Saint-Germainin deri në fund të këtij sezoni, por që nga 1 janari i vitit 2023 do ta ketë mundësinë të bisedojë dhe të nënshkruajë me ndonjë klub tjetër, të cilit do t’i bashkohej nga vera e ardhshme.

35 vjeçari i ka disa opsione, përfshirë këtu qëndrimin në Francë, rikthimin në Barcelonë, transferimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo edhe në klubin e tij të fëmijërisë.

Mediumi spanjoll “Mundo Deportivo” raporton se ekziston 90% e mundësive që Messi të qëndrojë aty ku është, përcjell Gazeta Express.

Kjo pasi presidenti i klubit, Nasser Al-Khelaifi ka biseduar me shtatë herë fituesin e Topit të Artë me të përfunduar finalja e Kupës së Botës, të cilin është munduar ta bind të qëndrojë në “Parkun e Princave” edhe pas përfundimit të kontratës së tij.

E ndërkohë, mediumi “La Vanguardia” raporton se kampioni i botës ia ka bërë me dije trajnerit Xavi Hernandez dëshirën për t’u rikthyer në “Camp Nou”.

Por, është e mundshme që Messi të qëndrojë në Ligue 1 edhe një vit, e më pas të rikthehet në Kataluni në verën e vitit 2024, ku edhe do ta mbyllte karrierën.

Messin ndërkohë e do edhe klubi amerikan nga liga MLS, Inter Miami, në pronësi të David Beckhamit, por nuk përjashtohet mundësia që ai të rikthehet edhe në klubin e fëmijërisë, të cilin e ka në zemër, Newells Old Boys.

Komento: