Klubet nga Premier League dalin me një propozim për mbylljen e kampionatit

19:20 | 15 April 2020

Klubet e Premier Leagues së Anglisë në futboll janë duke kërkuar nga liga që të marrë sa më shpejt vendimin për stinorin 2019-20, ku po kërkohet që stinori të përfundohet deri më 30 qershor, shkruan “Daily Mail”.

Një grup i klubeve, përfshirë edhe disa që janë duke garuar për kupa evropiane stinorin e ardhshëm, po shqetësohen për kontratat që janë të lidhura deri në fund të stinorit zyrtar. Krerët e klubeve po frikësohen se nëse stinori vazhdon në korrik, atëherë do të përballen me beteja ligjore nga lojtarët dhe partnerët komercial.

Takimi i radhës i aksionarëve të Premier Leagues është i paraparë për 17prill dhe klubet duan që temë kryesore e agjendës të jetë afati për përfundimin e stinorit. Gjitha klubet janë të vetëdijshme për situatën, ndonëse jo të gjitha janë në favor për të caktuar një datë për të përfunduar kampionatin.

FIFA më herët ka njoftuar se do të marrë masa të veçanta për të mbrojtur klubet dhe lojtarët, kontratat e të cilëve skadojnë më 30 qershor, që është data përfundimtare e stinorit në Evropë.

Mirëpo, klubet angleze janë këshilluar se ligjet kontraktuale në Angli do të zëvendësonin çdo vendim apo marrëveshje emergjente të prezantuar nga organet qeverisëse.

Kjo i mundëson lojtarëve që janë të huazuar apo që mbesin pa kontrata, të largohen nga klubet më 1 korrik, edhe nëse stinori nuk ka mbaruar. Klubet i frikësohen se lojtarët mund të shqetësohen se ndonjë lëndim eventual mund të pengonte transferimin e radhës, e kështu do të vendosnin të mos luanin.

Po ashtu ka edhe marrëveshje sponsorizuese të vlefshme deri më 30 qershor, duke krijuar konfuzitet, veçanërisht nëse është arritur ndonjë marrëveshje e re.

“Ne po i afrohemi një territori të kaosit”, ka thënë një shef-ekzekutiv.

Komento: