Edhe një klub gjerman hyn në garë për Rashicën.
Sky Germany dhe Kicker raportojnë se tani edhe një klub është bashkuar në garën për yllin kosovar të Werder Bremenit, Milot Rashicën. Bëhet fjalë për klubin e Bundesligës, RB Leipzigun.
Interesimi i Liverpoolit dhe disa klubeve të tjera të mëdha evropiane për Timo Werner, ka bërë që Leipzigu të kërkojë për një zëvendësues potencial për të në rast se ai largohet këtë verë, transmeton Gazeta Express.
Ky kërkim ka bërë që Leipzigu të hyjë në mesin e shumë klubeve të tjera që tashmë kanë shprehur interesim për Rashicën, përfshirë këtu Borussia Dortmundin, Napolin e Liverpoolin.
23-vjeçari i ka shënuar 10 gola dhe i ka bërë pesë asiste në 24 paraqitjet e tij në të gjitha garat gjatë këtij sezoni, mirëpo paraqitjet e tij kanë qenë më mbresëlënëse sesa këto shifra pasi që Bremeni ka qenë në një lloj krize gjatë këtij sezoni.
Dortmundi tashmë e ka kontaktuar sulmuesin, të cilin e sheh si opsionin e përsosur për ta zëvendësuar Jadon Sancho, nëse ylli i talentuar anglez vendos përfundimisht të largohet nga Dortmundi në fund të këtij sezoni.
Rashica është opsion i mirë për klubet e interesuara veçanërisht pasi që është ende i ri dhe mund të bëhet edhe më i mirë, përderisa mund të luajë edhe si qendërsulmues e edhe si sulmues anësor.
Klauzola për shkëputjen e kontratës së tij me Bremenin është e vendosur në 38 milionë euro, por është e vlefshme vetëm për klubet jashtë Gjermanisë, përderisa kjo kontratë e kosovarit është e vlefshme deri më 2022.