
Valencia po përgatitet për ndeshjen ndaj Mallorcas, por trajneri Carlos Corberán ka telashe të mëdha në mbrojtje dhe një “dhimbje koke” shtesë quhet Vedat Muriqi, shkruan mediumi AS.
Sulmuesi i Kosovës po kalon sezon të jashtëzakonshëm. Muriqi ka shënuar 21 gola dhe është vetëm dy gola pas Kylian Mbappés (23).
Madje, ai ka shënuar më shumë se të gjithë sulmuesit e Valencias së bashku: Hugo Duro (9), Ramazani (5), Danjuma (3), Sadiq (1) dhe Lucas Beltrán (1) – gjithsej 19 gola.
Muriqi ka realizuar edhe në dy ndeshjet e fundit, duke e rritur edhe më shumë presionin te Valencia, e cila do të kërkojë zgjidhje jo vetëm me emra në mbrojtje, por edhe me qasje taktike për ta neutralizuar.
Muriqi zbulon prapaskenat, ishte afër transferimit të PSG: Më thirrën për të nënshkruar, por i kisha dhënë fjalën Tares
Sipas raportimeve, Valencia po përgatitet për duelin me vetëm një qendërmbrojtës të skuadrës së parë plotësisht të gatshëm dhe ai është Cesar Tarrega. Emra si Eray Comert, Jose Copete dhe Unai Nunez janë të lënduar.
Në këto rrethana, trajneri Corberan po detyrohet të eksperimentojë gjatë javës.
Plani: Ta mbajnë Muriqin larg zonës
Strategjia për ta ndalur Muriqin nuk lidhet vetëm me mungesat, por edhe me mënyrën se si Valencia do ta mbrojë zonën. Statistikat e kosovarit tregojnë qartë pse është kaq i rrezikshëm.
Me gjatësi 1.94, Muriqi dominon në ajër, me 3.8 duele ajrore për ndeshje dhe 78% sukses. Ai është po ashtu shumë efikas në zonë, me 3.23 prekje për ndeshje brenda saj dhe mesatarisht 1.39 prej tyre që përfundojnë në goditje në portë.

Sipas të dhënave, ai finalizon rreth 50% të topave që merr në zonë dhe shënon një gol për çdo 0.69 goditje.
Për këtë arsye, ideja kryesore e Valencias është që ta detyrojë Muriqin të largohet sa më shumë nga zona e penalltisë, duke ia kufizuar harkimet dhe duke mos i lejuar duelet ajrore pranë portës — një mision i vështirë, sidomos në kushtet aktuale të mbrojtjes së Corberan.