KMDLNJ, Kurtit: Problemet reale të qytetarëve s’mund të mbulohen me situatën e sigurisë

17:38 | 25 December 2024
kmdlnj,-kurtit:-problemet-reale-te-qytetareve-s’mund-te-mbulohen-me-situaten-e-sigurise

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka deklaruar se problemet reale të qytetarëve përfshijnë faturat e energjisë elektrike, të ngrohjes, tatimin në pronë, artikujt e domosdoshëm për mbijetesë, pagat e ulëta, pensionet, migrimin e të rinjve dhe papunësinë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka vlerësuar se krerët e shtetit po përhapin vazhdimisht frikë pa qenë nevojë.

KMDLNJ përmes një komunikate për media ka thënë se kryeministri Albin Kurti, në prag të festave të fundvitit është duke thelluar “teori dhe veprime konspirative”, me paralajmërime se mund të ketë sulme sërish.

“Problemet kryesore të qytetarëve të Kosovës janë të natyrës ekonomike që krijojnë pasiguri. Problemet janë faturat brutalisht të larta të rrymës, të nxehjes, tatimit në pronë, artikujve të domosdoshëm për mbijetesë, pagat e ulëta, pensionet mizërie, ndihmat sociale që nuk ndihmojnë asgjë, papunësia, migrimi i të rinjve dhe mungesa e perspektivës”, thuhet në komunikatën e këtij këshilli.

Sipas tyre, problemet aktuale s’mund të mbulohen me situatën e sigurisë.

“Këto probleme reale që shqetësojnë shumicën e qytetarëve të Kosovës nuk mund të eliminohen e as të mbulohen me situatën e sigurisë me të cilën na kërcënon KM Kurti thuaja në çdo paraqitje”.

“Mbajtja e tensioneve të vazhdueshme është përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë për dështimin e qeverisë për sigurimin e një jete më cilësore dhe të dinjitetshme për qytetarët e Kosovës, si të drejta elementare të njeriut”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, të martën, ka thënë se kryeterrorist, Milan Radojiçiç, ka caktuar dy persona të afër të tij për të realizuar sulme në Veri përmes grupeve të tyre, të cilët kanë marrë pjesë edhe në sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit dhe strehohen në Serbi.

“E këta dy persona janë, Nemanja Radivojeviç me nofkën Gandi dhe Vladimir Radiojeviç me nofkën Mami”, tha ai.

Sipas tij janë evidentuar raste të ndryshme të sulmeve me mjete shpërthyese dhe veprime të tjera deri në sulmin terrorist në kanalin e ujit Ibër – Lepenc.

Komento: