Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut ka reaguar pasi ministri i Mbrojtjes Mehaj ka thënë se si Ministri do të strehojnë rreth 5000 refugjatë.
Nga ky Këshill thanë se përkundër që Kosova ka strehuar disa grupe të vogla të refugjatëve, prapë ka problem në menaxhimin e sjelljeve të tyre dhe ua ka shkelur të drejtat e njeriut.
“Kosova ka strehuar një numër thuaja simbolik të shtetasve të shteteve arabe që janë strehuar përkohësisht në Kosovë e që institucionet e Kosovës po kanë shumë vështirësi dhe probleme në menaxhimin e sjelljeve të tyre dhe, në një masë edhe po ua shkelë të drejtat e njeriut”, thuhej në reagim.
KMDLNJ këtë premtim e quan më shumë politik se Kosova nuk ka mundësi për strehimin e kaq shumë refugjatëve.
“Ndërkaq, premtimi i ministrit Mehaj për strehimin e së paku 5000 qytetarëve – refugjatëve nga Ukraina në Kosovë është, më shumë premtim politik për faktin se Kosova nuk ka, as mundësi materiale e as logjistike për strehimin e një numri aq të madh të refugjatëve aq më parë që nuk dihet se kur do të përfundojë lufta në Ukrainë”, thuhej tutje në reagimin e këtij këshilli.
Ata përmenden edhe vërshimet ku thanë se shumë familje kishin nevojë për strehim e Kosova nuk pati mundësi t’ua ofrojë atë.
“Jo shumë moti në Kosovë kishte vërshime në disa rajone të Kosovës, me dëme të konsiderueshme materiale me ç’rast një numër i familjeve u detyrua të kërkojë strehim të përkohshëm (kryesisht te familjarët e afërm ) dhe Kosova nuk pati kapacitet të kujdeset për ta, madje as me intervenime emergjente e tash, po kjo Kosovë, përmes minitrit Mehaj premton strehimin e, së paku 5000 mijë shtetasve refugjatë nga Ukraina”, thuhej tutje.