Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerëson se mosekzekutimi e pagave për mësimdhënësit është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe në kundërshtim të plotë me dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për këto të drejta.
Sipas KMDLNj-së, Qeveria e Kosovës po vazhdon t’i tregojë muskujt ndaj mësimdhënësve, përkundër faktit se është ndërprerë greva.
“KMDLNj pati bërë ftesë publike SBASHK- ut që si shenjë e vullnetit të mirë ta ndërpresë grevën pavarësisht qëndrimit të qeverisë. Pasi u ndërpre greva, qeveria po vazhdon të tregojë muskuj ndaj atyre që ua kanë mësuar shkrim-leximin, duke i luftuar me uri”.
“KMDLNj pret dhe shpreson që qeveria e Kosovës nesër të procedoj me pagat për muajin shtator për mësimdhënësit, në të kundër do të bartë përgjegjësi të plotë për destabilizim eventual të situatës dhe shkelje të drejtave të njeriut. Edhe nëse qeveria e Kosovës këmbëngul në vazhdim të luftës kundër sindikalistëve, KMDLNj kërkon nga SBASHK-u të mos hyjë në grevë, por të bëjë padi individuale në gjykata të rregullta”.