Koalicioni AAK-PSD, po shihet si i gabuar

18:29 | 20 August 2019

Koalicioni AAK-PSD nuk po shihet si ideal.

Nga bashkëpunimi Ekip Negociator – Kryeministër, Shpend Ahmeti e Ramush Haradinaj vendosën të dalin në rrafsh tërësisht politik për të lidhur koalicion parazgjedhor mes partive të tyre.

Partia Socialdemokrate la anash, dhe harroi komentet e bëra dikur për partinë e Haradinajt, të cilën e quante subjekt të haraçit, e kreun e saj “lider të papjekur”, shkruan lajmi.net.

“Parti e haraçit dhe me një lider të papjekur”, si ndryshuan qëndrimet e Socialdemokratëve

Por sipas analistëve politik, bashkimi i forcave nuk do ta japë as për afër frytin e pritur nga krerët e të dy partive.

Blerim Burjani, njohës i çështjeve dhe rrethanave politike, për lajmi.net thotë se koalicioni në fjalë është tërësisht i gabuar.

Sipas tij, PSD-së më së shumti i ka konvenuar që në koalicion të shkojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Ky koalicion nuk ka gjasa dhe është i gabuar, sidomos nga PSD. Është kalkulimi më i dobët politik dhe problematic për PSD-në. PSD-së i ka konvenuar më së shumti LDK e jo ky subjekt problematic dhe zhvatës e të korruptuar. Një bashkim i tillë mund të jetë i kobshëm për PSD-në. Nga ajo që shihet PSD nga ky koalicion mund të marrë vetëm dy deputetë”, thotë Burjani.

Sipas Burjanit, partia e Haradinajt është e prirur të bëjë probleme në numërimin e votave.

Ai thoë se së bashku, këto parti nuk pritet të marrin më shumë se 12 përqind.

“PSD në KQZ nuk ka as komisionerë të vetit. Një koalicion tërësisht i dështuar dhe i paqëlluar. Partia Socialdemokrate ka pasur frikë që nuk e kalon pragun dhe ka bërë një koalicion të tillë. Kjo është e dukshme se të dyjat bashkë nuk marrin më shumë se 12%. Sikur të hynte Nisma gjasat janë më pozitive për këto subjekte të vogla. Pra ka ende kohë dhe unë mendoj që partitë e vogla duhet të hyjnë në koalicion të përbashkët, pra po flasim për PSD, AAK, NISMA, AKR dhe Alternativa”, thotë Burjani.

I të njëjtit mendim nuk është analisti politik, Ramush Tahiri.

Ai për lajmi.net thotë se fuqia e këtij koalicioni pritet të shihet pas zgjedhjeve, dhe rezultari varet nga një sër faktorësh.

Këto parti veç e veç i kanë nga 12 deputetë për momentin, në qoftë se e ruajnë këtë nivel i bëjnë 24. Mirëpo ky është koalicion i hershëm sepse ende nuk është shpallur data e zgjedhjeve. Tash a ndikon te elektorati që me u rrit a me u zvoglu varet qysh kanë qenë deri dje, dhe varet elektorati i PSD-së a janë elektorat i VV-së apo kanë elektorat nominal”, thotë Tahiri.

Sipas Tahirit, koalicioni në fjalë do të zgjerohet edhe më tutje, ngase sipas tij, PSD-ja ka lënë vend edhe për partitë tjera në listën zgjedhore për deputetë.

Sidoqoftë, Tahiri përmend edhe një mundësi tjetër, atë të mungesës së fuqisë elektorale të PSD-së, që ndërlidhet me numrin e vogël të kandidatëve për deputetë.

“Ky koalicion do të zgjerohet sepse i njëjti është lidhur mes kandidatëve që kanë numër të barabartë të deputetëve, mirëpo PSD-ja ka marrë 25 deputetë, dhe janë shumë pak pra 20 përqind, sigurisht kanë lënë vend për tjerat, apo e dijnë që s’kanë forcë elektorale dhe nuk janë shtrirë në gjithë terrenin. Kjo varet edhe prej asaj sa zgjatet koalicioni dhe sa bëjnë propagandë dhe kundër kujt. Si po shihet gjendja domethënë edhe LDK-ja do të shkojë vetë ose me parti minore, PDK-ja vetë dhe Vetëvendosja vetë, dhe në qoftëse krejt grupet janë afër me 25-30 deputetë, atëherë nuk do të ketë dallim shumë të madh”, thekson Tahiri.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pati takime sot edhe me të parin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Sidoqoftë, nuk pati ndonjë marrëveshje të arritur mes këtyre dy subjekteve, për arsyen se Nisma e Fatmir Limajt preferon të shkojë e vetme në zgjedhje

Komento: