Kocijançiq: Presim bashkëpunim me Palmer në dialogun Kosovë – Serbi

17:57 | 02 September 2019

Dialogu Kosovë – Serbi vazhdon të jetë një çështje e rëndësishme për Bashkimin Evropian.

Zëdhënësja e BE-së Maja Kocijnaçiq thotë se Bashkimi Evropian pret bashkëpunim të ngushtë me të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Kocijançiq po ashtu shtoi se e vlerëson lartë rolin e SHBA-së në dialogun Kosovë – Serbi, por gjithashtu deklaroi se këto bisedime mbahen nën ombrellën e BE-së.

Tutje ajo ka shtuar se BE dhe SHBA ndajnë një interes të fortë të përbashkët për një Ballkan Perëndimor.

“SHBA ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në punën tonë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht kur bëhet fjalë për sukses në dialogun e ndërmjetësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës. BE dhe SHBA ndajnë një interes të fortë të përbashkët për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe të prosperuar dhe ne mezi presim që të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në dhe Matt Palmer si i dërguari special i SHBA-së”, ka thënë ajo në një deklaratë për mediumin serb, përcjell lajmi.net.

Sipas saj shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini ishte e angazhuar në ndërmjetësimin e dialogut, si dhe në perspektivat e BE-së, siç tha ajo, për Serbinë, Kosovën dhe tërë Ballkanin Perëndimor.

“Ne mirëpresim çdo angazhim për të mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE, qoftë ai që vjen nga vendet anëtare, bashkësia ndërkombëtare, dhe veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Kocijançiq. /Lajmi.net/

Komento: