Kodra thotë se marrëveshja për trajtimin e zyrtarëve policorë në spitale është e kundërligjshme

19:56 | 04 Nëntor 2023
kodra-thote-se-marreveshja-per-trajtimin-e-zyrtareve-policore-ne-spitale-eshte-e-kunderligjshme

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, ka thënë se çdo qytetar ka të drejtë të qasjes së barabartë në shërbime shëndetësore pa asnjë lloj diskriminimi.

Këtë reagim ai e ka bërë pasi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se është arritur marrëveshje mes Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK) dhe Policisë së Kosovës, për “mbështetje të kualifikuar për kontrollet shëndetësore” të zyrtarëve policorë.

E një marrëveshje e tillë sipas Kodrës është e kundërligjshme.

“Me pas dashtë veç pak ma shumë këtë shtet (ju ose paraardhësit e juaj), e kishit rregullu shëndetësinë për të gjithë qytetarët e nuk do të kishim nevojë fare për këso marrëveshjesh. Punë për Avokatin e Popullit…”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, ministri Sveçla është zotuar të shtunën se pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të trajtohen me prioritet në spitalet e Kosovës.

“Zyrtarët policorë dhe rekrutët do të trajtohen me prioritet, përfshirë edhe në listat e pritjes në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës pra dhe në të gjitha Spitalet Rajonale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Sipas ministrit, personelit policorë dhe rekrutëve “do t’iu ofrohen me prioritet dhe pa pagesë shërbimet mjekësore, psikologjike dhe specialistike të nivelit dytësor dhe tretësor në ShSKUK dhe në të gjitha Spitalet Rajonale”.

Sveçla ka përmendur, po ashtu, se marrëveshja i ka dhënë rëndësi të veçantë edhe shëndetit të zyrtarëve gra në Polici të Kosovës, përmes kontrolleve specifike.

Komento: