Koha kur luante bashkë me Lionet Messin duket të ketë qenë e veҫantë për Neymarin, pasi flet me shumë emocion për atë kohë.
Neymar Junior, i cili këto ditë gjendet në Brazil duke u rikuperuar nga lëndimi i pestë në këmbë, ka dhënë një intervistë për “Spectacular Esporte”.
Braziliani foli për marrëdhënien e shkëlqyer që kishte me Leo Messin te Barcelona.
Ai tha se kur më shumti kishte nevojë për dikë, Messi gjithmonë i gjendej pranë, duke e këshilluar.
“Kur kisha nevojë për diçka në momentet më të vështira, më i miri në botë (Messi) ishte pranë meje, më dha dashuri”, tha Neymar.
Kur u pyet nëse Messi mund t’i ketë kërkuar Barcelonës që braziliani të kthehet në “Camp Nou”, ai u përgjigj: “Është e vështirë, është e vështirë.
Të jem i sinqertë është shumë e vështirë, Leo ka qenë person special për mua në Barcelonë”.
Neymar gjithashtu tregoi se çfarë i kishte thënë Messi kur kishte arritur në Barcelonë: “Jam këtu për të të ndihmuar”, teksa i kishte kërkuar që të ishte i lumtur dhe të bëjë atë që kishte bërë te Santosi.
Neymar e veshi fanellën e Barcelonës për katër vite, ku bëri 186 paraqitje dhe shënoi 105 gola.