
Detaje të reja kanë dalë nga dosja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për grupin e dyshuar të trafikimit dhe shpërndarjes së kokainës, në të cilin dyshohet se ishte i përfshirë edhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija.
Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, të siguruar nga mediat, Prokuroria pretendon se një objekt banesor në Prishtinë, ku jetonte edhe ish-ministri Haraqija, shfrytëzohej për takime mes të dyshuarve dhe përgatitjen e substancave narkotike për shpërndarje.
Në dosje thuhet se Jeton Stanovci, Mërgim Stanovci, i cili ndodhet në arrati, dhe Astrit Haraqija takoheshin në këtë objekt, ku dyshohet se përgatitej kokaina e sjellë nga Mërgimi.
Sipas organit të akuzës, droga ndahej në sasi të vogla dhe më pas i dorëzohej Gëzim Fekës për shitje dhe shpërndarje.
Por një tjetër detaj që bie në sy është mënyra se si dyshohet se funksiononte menaxhimi i parave të përfituara nga shitja e drogës.
Prokuroria pretendon se Albana Xhemajli-Ramadani, bashkëjetuese e Jeton Stanovcit, kishte rolin e mbledhjes së parave nga Gëzim Feka, Arjanit Beqiri dhe Albert Krasniqi.
Sipas dosjes, kryesisht çdo të diel bëhej barazimi i pagesave për sasitë e kokainës së shitur, ndërsa grupi furnizohej me sasi të reja për shpërndarjen e javës pasuese.
Ndërkohë, Baftije Feka dyshohet se kishte për detyrë ruajtjen e drogës që shiste bashkëshorti i saj, Gëzim Feka, si dhe mbajtjen e parave të përfituara.
Çfarë u gjet në banesën e ish-ministrit?
Gjatë bastisjes në banesën e Astrit Haraqisë, Policia ka sekuestruar një pistoletë me karikator dhe gjashtë fishekë, para të gatshme dhe dy telefona iPhone.
Prokuroria dyshon se Haraqija e posedonte armën pa leje, për çka e ngarkon edhe me dyshimin për veprën penale të posedimit të paautorizuar të armëve.
Në anën tjetër, Haraqija ka mohuar përfshirjen në aktivitetet e dyshuara kriminale.
Prokuroria ka kërkuar paraburgim ndaj gjashtë të arrestuarve, duke pretenduar se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë, ndërhyrjes në prova dhe përsëritjes së veprës penale.
Operacioni policor i koduar “Heshtja”, i realizuar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, rezultoi me gjashtë të arrestuar dhe sekuestrimin e drogës dhe aseteve të tjera në vlerë mbi 300 mijë euro.
Shënim: Personat e përmendur konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.