Kolegji Iliria me letër të hapur institucioneve pas heqjes së akreditimit

20:25 | 18 July 2019

Pak ditë më parë Këshilli Shtetësor i Cilësisë i ka tërhjekur akreditimin edhe katër kolegjeve private.

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mos-akreditim e disa Universiteteve Publike të Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit dhe disa kolegjeve private ka ngjallur debate dhe reagime.

Ndërkohë, ka reaguar edhe Kolegji “Iliria”, nëpërmjet një postimi në faqen e tyre të Facebookut ku i kanë dërguar letër të hapur institucioneve të vendit.

Në këtë letër thuhet se “KSHC nuk mund të jetë mbi ligjin”, përcjell lajmi.

Kolegji “Iliria” thonë se kanë gjetur shkelje të shumta nga Agjencia e Kosovës për Akreditim e gjithashtu se kanë njoftuar vazhdimisht Këshillin Shtetëror të Cilësisë për të gjitha këto shkelje.

Ata në këtë letër të hapur kanë radhitur pikat në të cilat ata argumentojnë se KSHC ka shkelur ligjin dhe ky kolegj nuk është akredituar padrejtësisht.

Lexoni më poshtë letrën e plotë:

KSHC NUK MUND TË JETË MBI LIGJIN!

Letër e hapur drejtuar Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, institucioneve të drejtësisë, përfaqësive diplomatike dhe shoqërisë civile

Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk mund të jetë mbi ligjin

Kolegji ILIRIA është i shqetësuar me vendimin e fundit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) për mosakreditim institucional.

Duke vlerësuar gjithë rrjedhën e procesit, konsiderojmë se Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka bërë shkelje të shumta ligjore.

Kolegji ILIRIA në vazhdimësi ka njoftuar KSHC-në dhe Agjencinë e Kosovës për Akreditim për të gjitha shkeljet ligjore dhe procedurale të cilat janë bërë.

Agjencia e Kosovës për Akreditim, për vlerësimin institucional të Kolegjit ILIRIA ka angazhuar znj. Anca Prisacariu në cilësinë e ekspertes. Ky angazhim i saj është bërë në kundërshtim me kriteret e Nenit 13 të Udhëzimin Administrativ 15/2018, për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë (UA 15/2018).

E njejta nuk ka punuar si profesor në universitet dhe rrjedhimisht nuk ka plotësuar shumë nga kriteret e përcaktuara sipas këtij Udhëzimi Administrativ. Në përvojën e saj të punës, ndër tjerash nuk theksohet askund se ka përvojë në mesimdhënie universitare, apo përvojë në zhvillimin, realizimin dhe vlerësimin e kurrikulave.

Kolegji ILIRIA, duke parë sjelljet e saja joprofesionale gjatë vizitës, ka bërë menjëherë ankesë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, si dhe njëkohesisht ka kërkuar zyrtarisht që AKA të dorëzojë CV-në e saj. Këtë CV e kemi pranuar zyrtarisht nga AKA me 16 Korrik 2019.

Poashtu, në kundërshtim me Nenin 17, Pika 6 e UA 15/2018, e njejta pas përfundimit të vizitës për akreditim në Kolegjin ILIRIA, raportin e ka dorezuar me vonese pas dy muajsh.

Kolegjit ILIRIA nuk i është dorëzuar draft-raporti i plotë për të dhënë komentet adekuate, sipas Nenit 17, Pika 3 e UA 15/2018.

Kolegjit ILIRIA nuk i është dhënë afat i mjaftueshëm për të dhënë komente në draft-raport, sipas Nenit 15, Pika 5 e UA 15/2018.

Në ekipin e ekspertëve për vlerësim, krahas Anca Prisacariu kanë marrë pjesë edhe dy ekspertë për vlerësim të programeve si dhe një përfaqesuese e studentëve.

Perderisa dy ekspertë për programe kanë bërë vlerësim dhe kanë rekomanduar pozitivisht për akreditimin e programeve të studimit, është vetëm Anca Prisacariu që ka rekomanduar të mos akreditohet institucioni.

Ky vlerësim, pa koncenzus në mes ekipit të ekspertëve, është në kundërshtim me Nenin 17, pika 4 e UA 15/2018.

Vlerësimi pozitiv i programeve të studimit dhe njëkohesisht vlerësimi negativ për institucionin nga i njejti ekip dhe nga i njejti raport, është i paprecedent.

Është shqetësuese mundësia e ndikimit të anëtarëve të KSHC me konflikt interesi, në marrjen e vendimeve të jashtligjshme. Praktika e mosprezencës së anëtarëve të KSHC në procesin e marrjes së vendimeve për universitetin apo kolegjin ku aktualisht punojnë, nuk nënkupton që të njejtit nuk marrin pjesë dhe ndikojnë në vendimet kundër institucioneve tjera konkurente.

Në listën e ekspertëve të aprovuar nga KSHC, të cilat janë të publikuara në ëeb faqen e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, nga mbi 150 ekspertë të universiteteve të ndryshme europiane, përzgjidhet Anca Prisacariu e cila është e vetmja që nuk plotëson kriteret sipas UA 15/2018, ku shihet qartë se është e vetmja që nuk punon në universitet.

Anca Prisacariu ka bërë vlerësimin e katër nga shtatë institucionet që kanë marrë rekomandim negativ për akreditim (dy universitete publike dhe dy kolegje private). E njejta nuk ka bërë rekomandim pozitiv për asnjë institucion qe e ka pasur në vlerësim.

Anca Prisacariu, e cila jashtligjshëm është angazhuar nga KSHC, dyshohet se është përdorur si instrument për eliminimin nga konkurenca të disa universiteteve publike dhe kolegjeve private.

Për më tepër, e njejta duket se ka qenë për disa vite e angazhuar në projekte të ndryshme në Kosovë. Miqësia dhe afërsia e saj më disa anëtarë dhe ish-anëtarë të KSHC dhe AKA, shpërfaqë dyshimet tona për ndikime të mundshme në procesin e vlerësimit.

Vonesa në dorëzim të raportit nga ekspertët, dhe rrjedhimisht edhe vonesa në marrjen e vendimit nga KSHC, dyshojmë se janë bërë me qëllim që, pavarësisht epilogut, të konsumohet koha e regjistrimit të studentëve të rinj, e cila ka afat deri në Tetor 2019.

Çdo vonesë e rishqyrtimit të këtij vendimi të jashtligjshëm, dëmton rëndë konkurencën e lirë dhe të gjithë sistemin e arsimit të lartë në vend.
Pavarësia institucionale nuk nënkupton që KSHC është mbi ligjin.

Kërkojmë nga ju të ndihmoni arsimin e lartë në vend, duke mbrojtur ligjshmërinë.

Kolegji ILIRIA

Komento: