Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur sot në qytetin e Istogut, ku humbën jetën dy persona, njëri plaҫkitësi dhe njëri pjestar i Policisë së Kosovës.
E policia ka dhënë versionin zyrtar për ngjarjen në fjalë.
“Të gjitha njësitet policore nga niveli lokal, rajonal dhe ai qendror, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, fillimisht duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, sigurimin e personelit dhe qytetarëve, me qëllim të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, si dhe hetimit rreth përfshirjes së mundshme edhe të ndonjë personi tjetër të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ky është njoftimi i plotë i Policisë:
Sot me 27.12.2018 rreth orës 15:35, në filialin e bankës së NLB-së në Istog, ka ndodhur një rast tentim grabitje.
Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore për t’iu përgjigjur vendit të ngjarjes, ku me të arritur në atë lokacion kanë hasur në personin e dyshuar i cili posedonte një mjet zjarri të gjatë, si dhe dyshohej që kishte marrë pengë dy persona.
Personi i dyshuar në përpjekje për tu larguar nga vendi i ngjarjes ka shtënë me mjet zjarri drejt zyrtarëve policor, të cilët në vetë mbrojtje të tyre dhe të qytetarëve janë detyruar ti përgjigjen me mjet zjarri, duke e neutralizuar dhe duke e lënë të plagosur personin e dyshuar.
Gjatë intervenimit policor, si pasojë e shkëmbimit të armëve të zjarrit një zyrtar policor është plagosur rëndë, dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Pejës.
Të gjitha njësitet policore nga niveli lokal, rajonal dhe ai qendror, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, fillimisht duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, sigurimin e personelit dhe qytetarëve, me qëllim të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, si dhe hetimit rreth përfshirjes së mundshme edhe të ndonjë personi tjetër të dyshuar .
Disa orë më vonë nga mjekët kompetent është konfirmuar humbja e jetës së zyrtarit policor (I. D.) i cili ka shërbyer në stacionin policor Istog, si dhe e personit të dyshuar (K. M.) viti i lindjes 1968 nga fshati Shushicë e Ulët – Istog.
Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se personi i dyshuar posedon të kaluar kriminale të kryer në disa vende të Evropës.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ruajtjes së jetës dhe pronës si dhe parandalimin dhe kapjen e kryerësve të veprave penale.