Koleksioni “Takvim-i Vekaji” i shtohet fondit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

17:56 | 24 Dhjetor 2025
Koleksioni “Takvim-i Vekaji” i shtohet fondit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës është pasuruar me koleksionin Takvim-i Vekaji – Kalendari i ngjarjeve, që është gazeta e parë zyrtare e Perandorisë Osmane, e themeluar në vitin 1831, gjatë sundimit të Mahmut II. 

Ky botim shërbente si organ shtetëror për publikimin e ligjeve dhe dekreteve perandorake, emërimeve administrative, si dhe njoftimeve zyrtare, duke dokumentuar njëkohësisht ngjarje me rëndësi politike dhe shtetërore në mënyrë kronologjike.

Ekzemplarët e siguruar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës datojnë nga viti 1831 deri në vitin 1922. Këta regjistra përmbajnë njoftime dhe akte zyrtare shtetërore, si dhe, në disa raste, përmbledhje të diskutimeve të Parlamentit të Perandorisë Osmane. Në këto diskutime evidentohet edhe pjesëmarrja e deputetëve shqiptarë, ndër ta: Hasan Bej Prishtina, Hamdi Bej Preveza, Sait Efendi Shkupi, Fuad Pasha Prishtina, Bedri Bej Preveza dhe Riza Bej Shkodra.

Ky fond përbën një burim të rëndësishëm dokumentar për studimin e historisë institucionale osmane dhe për rolin e elitës politike shqiptare në jetën parlamentare të Perandorisë Osmane. /Klankosova.tv

Komento: