Kolona të gjata në pikat kufitare me Serbinë dhe bllokadë në aeroportin e Prishtinës

19:49 | 06 August 2021

Vazhdojnë pritjet e gjata në pikë-kalimet kufitare me Serbinë, fluks i madh edhe në Aeroportin e Prishtinës.

Nuk kanë fund pritjet e bashkatdhetarëve tanë në pikë-kalimet kufitare me Serbinë, derisa po kthehen nga pushimet në Kosovë, ndërkohë fluks i madh i udhëtarëve është parë sot edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Siç njofton Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (raporti i orës 18:52), mbi katër orë po presin mërgimtarët tanë që po kthehen nga pushimet për ta kaluar kufirin Kosovë-Serbi në pikë-kalimin kufitar në Merdar, ndërsa mbi një orë e gjysmë po presin ata që duan të hyjnë në Kosovë përmes kësaj pike kufitare. Kurse kolonat e automjeteve, në dalje janë rreth 1,500 metra, kurse në hyrje rreth 500 metra, raporton Telegrafi.

Gjendje pak më e mirë është në pikë-kalimin kufitar te Dheu i Bardhë, ku në dalje po pritet deri në dy orë e gjysmë, kurse në hyrje rreth 40 minuta. Ndërsa, kolona e automjeteve në këtë pikë kufitare arrin deri në 800 metra në dalje dhe rreth 80 metra në hyrje.

Deri në dy orë pritje për të dalë nga Kosova ka edhe në pikën kufitare në Jarinje, ku kolona e automjeteve është rreth 1,500 metra. Edhe në pikë-kalimet kufitare në Muçibabë dhe Mutivodë, bashkatdhetarët po presin deri në 50 minuta për ta dalë nga Kosova.

Ndërsa në pikë-kalimet e tjera të Kosovës me vendet fqinje nuk ka pritje të gjatë.

Ndërkohë, një fluks i madh i udhëtarëve që prisnin të udhëtojnë në vendet e Evropës Perëndimore është regjistruar edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Përndryshe, për shkak të numrit të madh të bashkatdhetarëve që kanë ardhur përmes linjës ajrore, ditëve të fundit është regjistruar numër rekord aterrimesh në Aeroportin e Prishtinës.

Qytetarët mund të informohen për gjendjen në vendkalimet kufitare në kohë reale duke klikuar KËTU.

Komento: