Komandanti i Gardës së Ajova-s bashkë me gjenerallejtënant Jashari shohin nga afër kapacitet e FSK-së

21:33 | 21 Shkurt 2024
komandanti-i-gardes-se-ajova-s-bashke-me-gjenerallejtenant-jashari-shohin-nga-afer-kapacitet-e-fsk-se

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, së bashku me komandantin e Gardës së Ajova-s, gjeneral major Stephen E. Osborn, zhvilluan një vizitë të mërkurën në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.

Gjatë kësaj vizite, siç thuhet në njoftimin zyrtar të FSK-së, ata diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajova-s për tri vitet e ardhshme.

Në fokus të bisedave ishin planet dhe objektivat e përbashkët, duke përfshirë fushat e manovrës, të mbështetjes logjistike, të mjekësisë, të kibernetikës dhe trajnimit të nënoficerëve.

Pas bisedave në Shtabin e Përgjithshëm, gjenerallejtënant Jashari dhe gjeneral major Osborn së bashku me delegacionet e tyre vizituan Regjimentin e Tretë të Këmbësorisë së Forcave Tokësore në Mitrovicë.

Gjatë vizitës, ata patën mundësinë që të shihnin demonstrimin e aftësive luftarake në poligonin e trajnimit të regjimentit, përfshirë mbështetjen me zjarr, operacionet sulmuese si dhe praktikat e zbulimit dhe të raportimit në fushën luftarake.

Forcat Tokësore të FSK-së po zhvillojnë aktivitetet sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT) me qëllim të validimit të kapaciteteve luftarake.

Komento: