Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka thënë se sulmi në Banjskë dhe ai në Ibër Lepenc, janë dy raste të ndara. Ai ka shtuar se nevojiten hetime të pavarura për të përcaktuar faktet dhe përgjegjësinë.
Barduani ka potencuar se KFOR-i nuk ka asnjë rol në hetimin e rastit të fundit, duke pasur parasysh se zbatimi i ligjit nuk është brenda mandatit të tij.
Në një intervistë për mediumin Kossev, komandant Barduani ka konfirmuar se secila prezencë e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri kërkon fillimisht aprovimin e KFOR-it.
Në bazë të vlerësimit të sigurisë nga KFOR-it pas sulmit në kanal në fund të nëntorit të kaluar, komandanti i këtyre forcave nuk ka dhënë një miratim të tillë. Paraprakisht, në rastin e Banjskës, ai ka konfirmuar se as nuk ka marrë kërkesë të tillë.
Mes tjerash, ai ka thënë se KFOR do të vazhdojë ta mbajë prezencën e përhershme në urën e Ibrit dhe do të vazhdojë të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.
Sipas Brduanit, situata në Kosovë është e qetë, por sensitive me ekspozim të vazhdueshëm ndaj eskalimit potencial.
“Incidentet e izoluara mund të ndodhin ende. Parandalimi komplet i këtyre incidenteve është kompleks, pasi që shpesh përfshijnë elemente kriminale dhe terroriste, që operojnë në mënyrë të fshehtë dhe të paparashikueshme”, ka potencuar ai.
Por, sipas tij, KFOR vazhdon të monitorojë situatën në veriun e Kosovës, duke siguruar një mjedis stabil e të sigurtë.
“Përkrahja e institucioneve vendore dhe ruajtja e paanshmërisë, duke qenë plotësisht të përgatitur për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të sigurisë”, ka theksuar ai.