Komandanti i KFOR-it: Retorika nxitëse dhe dezinformatat mbeten shqetësim për sigurinë në Kosovë

21:00 | 02 Gusht 2026
komandanti-i-kfor-it:-retorika-nxitese-dhe-dezinformatat-mbeten-shqetesim-per-sigurine-ne-kosove

Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori turk Özkan Ulutaş, ka identifikuar retorikën nxitëse dhe përhapjen e vazhdueshme të dezinformatave si dy prej zhvillimeve që paraqesin shqetësim për mjedisin e sigurisë në Kosovë.

Për KP, Ulutaş tha se këto dukuri mund të ndikojnë në stabilitetin e situatës dhe për këtë arsye, sipas tij, KFOR-i vazhdon të jetë vigjilent dhe i pozicionuar në të gjithë territorin e Kosovës.

“Retorika nxitëse dhe përdorimi i vazhdueshëm i dezinformatave janë ndër shqetësimet tona, duke pasur parasysh ndikimin që ato mund të kenë në mjedisin e sigurisë. Për këtë arsye, KFOR-i mbetet vigjilent dhe i pozicionuar mirë në të gjithë Kosovën”, ka deklaruar Ulutaş.

Komandanti i trupave të NATO-s në Kosovë ka theksuar se siguria afatgjatë nuk mund të arrihet përmes mjeteve ushtarake, por përmes një procesi politik.

Sipas tij, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mbetet korniza kryesore për adresimin e çështjeve të pazgjidhura.

“KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në kuadër të përpjekjeve më të gjera të NATO-s për të mbështetur avancimin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë ai.

Ulutaş ka shtuar se ky proces duhet të çojë drejt zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe kontribuojnë në një siguri të qëndrueshme në Kosovë.

Deklaratat e tij vijnë në një periudhë kur situata e sigurisë në Kosovë vazhdon të monitorohet nga afër nga institucionet vendore dhe misioni i NATO-s, veçanërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023. /KP

Komento: