Komandanti i kontingjentit të FKS-së që ndodhen në Turqi: E kemi të vështirë komunikimin me Kosovën, gjithçka është e shkatërruar

13:58 | 10 Shkurt 2023

Komandant i kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës për kërkim-shpëtim, i angazhuar në Turqi, pas tërmetit që e ka goditur këtë vend më 6 shkurt, ka folur rreth misionit të tyre në në Hataj – njërin nga dhjetë qytetet më të prekura nga tërmeti.

Egzon Syla për Radio Evropën e Lirë ka thënë se qyteti ku ata ndodhen është i shkatërruar thuajse tërësisht. Ai thotë se madje e kanë shumë të vështirë edhe komunikimin me udhëheqësit e tyre në Kosovë, sepse nuk ka as internet e as valë telefoni.

“Qyteti është i shkatërruar plotësisht, është një katastrofë. Ne e kemi shumë të vështirë edhe komunikimin me udhëheqësit tanë në Kosovë, sepse nuk ka as internet e as valë telefoni. Është shkatërruar gjithçka. Nuk ka asnjë ndërtesë të banueshme, ose janë rrëzuar komplet, ose dëmtuar shumë”.

“Rrugët janë të bllokuara nga rrëzimi i banesave, njerëzit janë duke fjetur në rrugë, janë duke ndezur zjarr dhe duke qëndruar aty. Në trotuare ka shtretër që kanë arritur t’i nxjerrin nga banesat që nuk janë rrënuar komplet. I kanë vendosur rrugëve dhe janë duke qëndruar aty”, ka rrëfyer ndër të tjera ai.

“Ata nuk kanë dashur të largohen, me sa kuptova, se janë duke pritur ende për të afërmit e tyre që të nxirren nga gërmadhat”, thotë komandanti i kontingjentit të FSK-së për kërkim-shpëtim.

Edhe pse ka rrezik nga futja nën gërmadha, Syla thotë se në mesin e ekipit të FSK-së kanë vullnet dhe gatishmëri jashtëzakonisht të madhe për të ofruar ndihmë.

“Nuk e di se si ta përshkruaj. Ka një vullnet të madh, diçka që mua më ka impresionuar për të mirë, pasi është hera e parë për mua që marr pjesë në këso lloje operacionesh. Ka vullnet, ka dëshirë për punë, trimëria e tyre e të tjera gjëra mua më kanë impresionuar”, shprehet Syla.

Më 9 shkurt, kontingjenti i FSK-së ka arritur të nxjerrë vetëm trupa të pajetë nga rrënojat.

Syla thotë se ata do ta vazhdojnë punën, varësisht rrethanave dhe kërkesave.

Edhe pse ekspertët thonë se njerëzit mund të mbijetojnë për një javë ose më shumë, shanset për të gjetur të mbijetuar janë duke u zbehur, marrë parasysh edhe temperaturat e ulëta në rajonin e shkatërruar.

Komento: