Komandanti Syla flet për gjendjen në Turqi: Shpresat nuk i kemi shuar, por gjasat janë të vogla për të shpëtuar njerëz nga rrënojat

19:48 | 13 February 2023

Komandanti Egzon Syla, i cili është edhe pjesë e ekipit të kërkim-shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ka rrëfyer momentet kur kanë arritur t’i nxjerrin të gjallë nga rrënojat katër persona. Në një linjë të drejtpërdrejt në RTV Dukagjini, teksa ka folur për shpresën, Syla ka thënë se të njëjtat ndonëse nuk janë shuar, megjithatë mbesin të vogla.

Ndonëse kanë kaluar një javë që kur Turqia dhe Siria janë prekur nga tërmeti si pasojë e të cilit deri më tani numri i viktimave ka kaluar mbi 37 mijë, shpresat për të shpëtuar jetë ende nuk shuhen.

Komandanti Egzon Syla, i cili është edhe pjesë e ekipit të kërkim-shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ka rrëfyer momentet kur kanë arritur t’i nxjerrin të gjallë nga rrënojat katër persona.

Teksa ka folur për shpresën, Syla ka thënë se të njëjtat ndonëse nuk janë shuar, megjithatë mbesin të vogla.

“Për fat të keq shpresat janë gjithmonë edhe më të vogla, kanë kaluar më shumë se 7 ditë, kohëve të fundit ka pak raste ku po shpëtojnë persona të gjallë për shkak se pas kaq shumë ditëve mund të gjenden në ato vende ku kanë mbetur në ndonjë hapësirë më të gjerë, ku kanë mundur të lëvizin të gjejnë ujë apo ushqim, mund të kenë ndonjë mrekulli nëse ka ndonjë rast përndryshe shpresat janë gjithnjë e më të vogla”, ka thënë ai.

Momente të mira, Syla i ka quajtur ato kur kanë arritur të shpëtojnë njerëz nga godinat e rrënuara në Hatay, zonë kjo e cila është një ndër më të prekurat nga tërmeti në Turqi.

“Në këto fatkeqësi, kanë qenë momente të mira kur ia kemi dalë. Kemi nxjerrë një vajzë 2 vjeçare dhe nënën e saj, ku nëna e ka pasur duke e ledhatuar fëmijën dhe duke e mbrojtur, ka qenë e vështirë të depërtohej, ishte ndoshta 7 a po 8 metra që është krijuar një kanal brenda ndërtesës në katin e parë ku ndërtesa ishte 7 kate. Në fillim kur kemi arritur pas 10 orëve kërkim që t’i shohim dhe t’i prekim nëna ka pasur kërkesë që ta nxjerrim fëmijën, fëmija ka filluar t’i shoh pjesëtarët tanë dhe ka filluar të qeshë, pas aq orëve në rrënoja”.

“Të nesërmen na kanë njoftuar ekipet turke që të dyja janë mirë”, ka thënë ai.

“Kemi arritur t’i nxjerrim të gjallë edhe dje 2 persona, këto kanë qenë në lokacione të ndryshme, edhe kjo vajza 13 vjeçare kur ka dalë ka filluar të buzëqesh, kanë qenë raste që na kanë prekur shumë por kur ia kemi dalë gjithmonë ka qenë vullneti hajde të punojmë edhe më shumë që ndoshta arrijmë të shpëtojmë edhe dikë”, shtoi Syla.

Kur pyetet se si është gjendja në zonën ku janë të angazhuar, Syla ka thënë se nuk është një gjendje e mirë.

“Gjendja nuk është e mirë, qyteti i Hatay ku jemi duke operuar është i shkatërruar komplet, shumica e ndërtesave janë të rrënuara por edhe ato që nuk janë rrënuar janë të pabanueshme. Popullata është larguar, ka edhe nga ata që po qëndrojnë në tenda ose edhe në rrugë, është një gjendje shumë e keqe. Puna jonë është të kërkojmë persona të gjallë dhe t’i shpëtojmë ata, nuk kemi marrë detyra tjera. Kemi edhe një ekip nja mjekësia e FSK-së që vazhdimisht na mbështet neve”.

Ai theksoi se si ekip janë të përqendruar te kërkim-shpëtimi i njerëzve që janë në jetë dhe gjenden ende në rrënoja.

Po ashtu Syla ka potencuar se janë duke qëndruar në tenda, pavarësisht kohës.

“Me gjëra materiale po furnizon Turqia gjithandej, nuk ka problem me ushqime por me vendbanime po sepse ka vetëm tenda. Jemi duke ndenjur në tenda, koha nuk është e mirë por vullneti është i madh, jemi të angazhuar më shumë se një pikë”, ka deklaruar tutje Syla.

Komento: