Kosova mban stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Sllovenisë.
Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së radhës kundër Sllovenisë, në kuadër të Ligës së Kombeve, që zhvillohet të dielën në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë
Djemtë dardanë tashmë e kanë lënë prapa shpinës humbjen e pësuar në Shkup dhe janë plotësisht të përqendruar për të dhënë më të mirën e mundshme në ndeshjen kundër sllovenëve. Para stërvitjes përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka folur në konferencë për media.
Ai ka thënë se dy ditët e fundit ka punuar në ngritjen e moralit të futbollistëve dhe në evitimin e gabimeve të shfaqura në tri ndeshjet e fundit.
“Nëse flasim për tri ndeshjet e fundit problemet janë evidente, nuk krijojmë raste sa duhet. Kemi luajtur mirë vetëm deri në 30 metrat e fundit të kundërshtarit, prandaj na mbetet që në duelin e radhës ta zgjidhim këtë problem. Sfida tjetër pas dështimit në Shkup është se lojtarët janë të shkatërruar emocionalisht, por edhe fizikisht janë të dërrmuar pasi vijnë pas një ndeshje të vështirë. Flas për sfidat sepse për mua është e qartë se detyrë e imja është që t’i kthejë lojtarët në nivel të lartë për këtë ndeshje. Mendoj se është mundësi e mirë gjithashtu për të treguar mentalitetin dhe karakterin tonë”, ka deklaruar Bernard Challandes, i cili e ka vlerësuar Slloveninë si skuadër shumë të fortë në aspektin fizik.