Komentuesit e bëjnë për ‘pesë parë’ presidentin Thaçi për shpërndarjen e një foto t Remit në Hagë

20:27 | 14 January 2019

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka shpërndarë foton e komandant Remit në Hagë, por komentuesit i kanë thënë atij se ‘ti e çove atje’.

Thaçi ka shpërndarë një foto të ish-komandantit të UÇK’së Rrustem Mustafa-Remi. Fotoja ku Remi shihet duke përshëndetur me dorë është bërë në Hagë, atje ku ai sot u intervistua nga Prokurori Special. Kjo ka bërë që komentuesit ta akuzojnë Thaçin.

‘Foto e ditës’ është mbishkrimi i presidentit Thaçi në një fotografi të Remit nga Haga.

Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, është edhe zyrtarisht personi i parë që u intervistua nga Gjykata Speciale.

Kjo ka bërë që komentuesit t’ia kujtojnë Thaçit se ishte ai që përkrahu Gjykatën Speciale.

‘Pak po të doket që e çove atje e tash edhe reklamë po i bën’, shkruan një qytetar.

Rrustem Mustafa, në vitin 2013 ishte dënuar për krime luftë nga Gjykata e Prishtinës. Bashkë me të, me burgim ishin dënuar edhe dy ish-oficerë tjerë të Zonës operacionale të Llapit, e drejtuar nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës.

Remi, ishte dënuar me katër vite burgim unik nga gjykata, për dy pika të aktakuzës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara, të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, të cilin e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011.

Komento: