Komisioneri Hahn u takua me Vuçiqin, biseduan për zhbllokimin e dialogut Kosovë-Serbi

08:26 | 26 July 2019

Hahn dhe Vuҫiq kanë diskutuar për zhbllokimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Komisioneri Evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn, është takuar në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Ata biseduan për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe “hapat e ardhshëm të Serbisë në rrugën evropiane”, njoftoi shërbimi për shtyp i presidentit serb.

Vuçiç dhe Han thuhet se kanë diskutuar posaçërisht bllokimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe situatën që pasoi dorëheqjen e Ramush Haradinajt, nga posti i kryeministrit të Kosovës, në të cilën, siç ka vlerësuar Vuçiq gjatë takimit, Serbia “reagoi me qetësi dhe me përgjegjësi”.

Vuçiq falënderoi komisionerin Hahn, për angazhimin në “zhbllokimin e dialogut Beograd-Prishtinë”, dhe përsëriti se Serbia është “e përkushtuar ndaj politikave të paqes dhe bashkëpunimit për të ruajtur stabilitetin në rajon”.

Sipas njoftimit, Hahn ka përshëndetur vendosmërinë e Serbisë dhe shprehu gatishmërinë e tij për “të ndihmuar në krijimin e kushteve për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës”.

“Hahn i kërkoi Serbisë të përshpejtojë “procesin e reformave” në lidhje me integrimin e saj evropian dhe të punojë me vendosmëri më të madhe për sundimin e ligjit”, thuhet në deklaratë.

Komisioneri Hahn arriti në Beograd nga Shkupi, ku gjithashtu bisedoi me zyrtarët e Maqedonisë së Veriut rreth reformave në procesin e integrimit në Bashkimit Evropian.

Komento: