
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në mbledhjen e sotme ka caktuar datën për intervistimin e aplikantëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Data e intervistimit u caktua të jetë më 10 prill nga ora 09:00.
Zëvendëskryetari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Vigan Qorrolli fillimisht njoftoi se një kandidate serbe ka thënë se dokumentacioni i aplikimit nuk ka arritur ende pasi që aplikimi ishte bërë me postë.
“Ju njoftoj se në administratë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka ardhur një njoftim nga një kandidate e komunitetit serb e cila ka sqaruar se dokumentet e aplikimit i ka dërguar përmes postës me datë 19 mars, brenda afatit të lejuar për kandidatura, se afati është mbyll me 20 mars. E ka bashkangjitur dëshminë nga Posta e Kosovës, mirëpo kuvendi, respektivisht administrata e Kuvendit të Republikës së Kosovës deri në këtë moment që po flasim nuk ka pranuar asnjë dokumentacion, respektivisht fajllin për këtë kandidat… për këtë kandidate në këtë rast. Kështu që ky është një rast i pazakonshëm sepse Posta e Kosovës nga data 19 mars supozimisht deri më sot 2 prill do të duhej t’ia përcjellte me rekomandë Kuvendit të Kosovës, por jemi në një situatë që deri në këtë moment administrata nuk e ka pranuar dokumentacionin e kandidates. Si komision ne duhet të vendosim nëse kandidatja duhet të ftohet në intervistë pavarësisht se afatet kanë kaluar tashmë dhe duke qenë se ne nuk e kemi dokumentacionin për ta kontrolluar nëse ajo ligjërisht i plotëson kushtet për të qenë kandidate për anëtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe në mungesë të tij, ne e kemi të pamundur për të shqyrtuar sigurisht CV-në siç kemi bërë brenda grupit punues dy ditë përpara.
 Kështu që, por megjithatë do t’ia lë komisionit të vendosë se çka do të bëjmë me këtë rast. Gjithmonë po flasim në abstraksion, sepse ne nuk e kemi dokumentacionin. Për hir të transparencës dhe të gjithçka tjetër që lidhet me zbatimin e rregullave ligjore, sepse kjo mund të jetë potencialisht objekt shqyrtimi në të ardhmen. Kandidatja e ka dorëzua sistemin… një dokument që rrjedh online nga sistemi i automatizimit të sporteleve të postës, e cila e ka deponu dokumentacionin në datë 19 në postën, siç po e shoh, në postën e qytetit të Shtërpcës. Pastaj e njëjta ka mbërri në Prishtinë me datë 24, dhe posta gjithashtu që konfirmon që është… tri data janë këtu që parashikohen, por administrata nuk e ka pranu. Ndërkohë që ajo rekomandën e ka sjell këtu, e pranuar në postën e Shtërpcës, por dokumentacioni, afërsisht dy javë nuk ka mbërri në administratën e kuvendit. Kështu që ne duhet të marrim vendim për këtë çështje, se si do ta trajtojmë“, tha Qorrolli.
Kurse, anëtarja e Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu prezantoi raportin nga grupi punues.
“Në radhë të parë vetëm po e specifikoj për mediat dhe kolegët deputetë që grupi punues për shqyrtimin e aplikacioneve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës është ngarkuar me vendim të komisionit me datën 30.03, pra 30 mars. Grupi punues në përbërje të: Blerta Deliu-Kodrës, Vigan Qorrollit, Besnik Tahirit, Erxhan Galushit dhe Liljana Stefanoviç. E kemi mbajtur takimin për t’i trajtuar aplikacionet e kandidatëve dhe e kemi paraqitur një raport të cilin unë do ta lexoj para jush. Pozitat që duhet të plotësohen janë: Një anëtar nga radhët e komunitetit shqiptar (anëtar jogjyqtar), sipas nenit 108, paragrafi 6, nënparagrafi 2 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, amendamenti numër 25. Dy anëtarë nga komuniteti serb, sipas nenit 108, paragrafi 6, nënparagrafi 3 i Kushtetutës, ku të paktën njëri prej tyre duhet të jetë gjyqtar. Lista e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës i ka gjithsej 23 kandidatë, të cilët ne i kemi trajtuar si grup punues. Pas shqyrtimit të këtyre aplikacioneve, grupi punues ka konstatuar se të gjithë kandidatët i plotësojnë kushtet për t’u ftuar në intervistë. Kandidatit Kujtim Krasniqi i mungon dekreti nga Presidenti apo vërtetimi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe kemi kërkuar që i njëjti, kur të vijë në intervistim, ta sjellë me vete dekretin në mënyrë që t’i lejohet intervistimi. Kemi rekomanduar që komisioni gjatë intervistimit të kandidatëve t’u përmbahet disa rregullave: Nuk ka test me shkrim, do të ketë vetëm intervistë nga komisioni intervistues. Komisioni duhet të mblidhet 30 minuta para fillimit të intervistave. Intervistat të zhvillohen pa ndërprerje gjatë gjithë ditës për të ruajtur korrektësinë. Kohëzgjatja e intervistës për secilin kandidat do të jetë 15 minuta. Secili anëtar i grupit punues do të dorëzojë nga 5 pyetje, 30 minuta para mbledhjes, nga të cilat do të përzgjidhen gjithsej 11 prej tyre. Kryetari i komisionit cakton anëtarët që parashtrojnë pyetjet; secilit kandidat i bëhen nga 4 pyetje. Vlerësimi është i fshehtë dhe pikët janë nga 5 deri në 10 pikë“, tha ajo.
Ndërsa sa i përket çështjes që ngriti Qorrolli, Deliu kërkoi që fillimisht të caktohet data e intervistimit të aplikuesve.
“Kemi kërkuar pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile në mënyrë që të monitorojnë këtë proces. Nuk e kemi caktuar ende datën e intervistimit sepse kemi konsideruar që duhet ta diskutojmë edhe me anëtarët e komisionit.
Ndërkohë, sa i përket kandidates në fjalë (të cilën e përmendi zoti Çorrolli), duhet të informoj mediat që Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e ka përfshirë në raport sepse aplikimi i saj nuk ka ardhur në Komisionin për Legjislacion. Si kryesuese e grupit punues, do të kërkoja që të konsultohen praktikat e mëhershme sepse nuk është e lehtë për Kuvendin të trajtojë dokumentacion pa e pasur dokumentacionin, as aplikimin në komision e as në Kuvend, pa pasur një dosje të qartë përkundër faktit që zonja ka sjellë disa prej dëshmive. Është pak situatë absurde që ne të kemi mundësi të trajtojmë diçka që s’e kemi parë ende dhe s’e kemi trajtuar para aplikacionit të saj“, theksoi ajo.