
Kosova duhet ta ratifikojë menjëherë marrëveshjen me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes – sapo ta formojë Kuvendin e ri – në mënyrë që të fillojë t’i pranojë miliona euro nga kjo paketë financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë deklaruar nga Komisioni Evropian.
Kosova ishte ndër të parat që e miratoi agjendën e reformave në vitin 2024, por nuk ka qenë në gjendje t’i gëzojë të hollat për shkak të mungesës së një Kuvendi funksional për ta ratifikuar marrëveshjen formale me bllokun.
“Është në interes të Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më shpejt, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron Plani i Rritjes, në dobi të popullatës së saj”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Komisionit Evropian (KE).
Kosova pritet ta bëjë Kuvendin e ri në javët në vijim, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Partia e Kurtit i fitoi 57 vende dhe pritet të udhëheqë edhe për një mandat të tretë katërvjeçar.
Për ratifikimin e marrëveshjes në fjalë me BE-në, nevojiten 80 vota në Kuvendin me 120 ulëse, që nënkupton se janë të nevojshme edhe votat e opozitës.
Pa ratifikimin e marrëveshjes, Kosova nuk mund të paraqesë kërkesë për pagesë.
Plani i Rritjes është një paketë financimi e BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën – me qëllim të përafrimit të këtyre ekonomive me standardet evropiane.