Komisioni Evropian ofron përkrahje buxhetore për reforma në Administratën Publike

09:21 | 21 July 2019

Reforma në Administratën Publike, Komisioni Evropian ofron përkrahje buxhetore.

Ministri i Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar, ka folur në lidhje me reformën në Administratën Publike e që përfshinë: zbatimin e ligjeve, realizimin e të dhënave të hapura, krijimin e qendrave të ofrimit të shërbimeve dhe racionalizimin e Agjencioneve.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online tha se po planifikohet që në objektin qeveritar të ndërtohet një qendër ku shumë ministri do të ofrojnë shërbime në zyrat e tyre.

“Planifikojmë në kompleksin qeveritar ku jemi edhe tash të ndërtojmë një qendër ku shumë ministri të ofrojnë shërbime nëpër zyre të veta, të krijojmë një zyre qendrore ku do të ofrohen shërbime të zakonshme ditore dhe ato shërbime të jenë në mënyrë shumë më efikase duke përdorur edhe mundësitë teknologjike edhe duke ndihmuar edhe nga punonjësit e ministrive që të ofrojnë edhe informata të sakta, por edhe të krijohen mundësit që kërkesat të realizohen nga aspekti kohorë sa më shkurt dhe të jetë sa më efikas”, tha ai.

Mundësitë buxhetore për realizimin e këtyre reformave nuk janë të mjaftueshme.

Yagcilar tha se kanë marrë përkrahjen e Komisionit Evropian i cili këtë vit pritet edhe të bëjë pagesën e parë.

“Ka nevojë për buxhet, por mundësitë tona dhe kapacitetet tona jemi duke planifikuar në atë aspekt dhe për vitin e ardhshëm do të planifikojmë dhe besojmë që do të kemi përkrahje edhe nga donatorët. Në këtë rast dëshirojnë të përmend edhe mundësinë që Komisioni Evropian prej këtij viti të realizojë edhe pagesën sa i përket buxhetit sektorial për të cilin e kemi biseduar sa i përket këstit të parë dhe besoj që të realizohet. Do të jetë edhe një përkrahje nga Komisioni Evropian sepse Kosova ka nevojë për një sistem të shërbimit shumë më efikas të shërbimeve”, ka thënë ai.

Ai ka treguar më shumë rreth punës që është duke u bërë tani pas aprovimit të tri ligjeve që konsiderohen reformuese në fushën e Administratës Publike.

“Jemi duke punuar në hartimin e akteve nënligjore të cilat do të ndihmojnë në implementimin sa më të mirë dhe efikas të ligjeve. Nga ana tjetër në Administratën Publike gjithashtu jemi duke punuar në ndërlidhjen e sistemeve elektronike, që informatat të shkëmbehen me sisteme të ndryshme dhe të shfrytëzohen për Administratën Publike. Janë mbi 15 sisteme të ndërlidhura, kështu që qytetarët, bizneset kanë lehtësira gjatë kërkesave prej Administratës Publike”.

“Po vazhdojnë punët në sistemin e të dhënave të hapura, e kemi proklamuara dhe jemi duke vazhduar. Jemi duke punuar në portalin shtetëror, në akomodimin e institucioneve, por edhe krijimin e kushteve më të mira sa i përket ofrimit të shërbimeve. Filluam me Komunën e Prizrenit me ndërtimin e një qendre për të vazhduar edhe me komunat e tjera. Në plan e kemi që vitin e ardhshëm të vazhdojmë me nivelin qendror duke ndërtuar një qendër për ofrimin e shërbimeve”.

Ministri Yagcilar tha se duhet të zvogëlohet numri i ministrive dhe të rregullohet statusi i ministrive përkatëse.

“Zvogëlimi i numrit të ministrive parashihet në Ligjin për Qeverinë i cili sponsorizohet nga zyra e kryeministrit, do të ishte mirë që të bëhet zvogëlimi i ministrive dhe të rregullohet statusi i ministrive përkatëse dhe krijimi i çështjeve tjera. Këto reforma janë të dobishme për Administratën dhe besojmë që edhe Ligji për Qeverinë në frymën e reformave në Administratën Publike do të jetë ndihmës që Administrata Publike të jetë nga aspekti i funksionimit sa më efikas”.

E, duke folur për mundësinë e krijimit të kushteve për zhvendosjen e institucioneve shtetërore nga pronat private, tha se nevojitet buxhet shtesë dhe për këtë kanë bërë kërkesë që në vitin e ardhshëm të zgjidhet ky problem.

Ai ka përmendur se tani në këtë periudhë është duke u ndërtuar Instituti i Administratës Publike, ICAP-it.

“Për këto çështje nevojitet të caktohet kostoja buxhetore që ajo çështje të bëhet. Ministria e MAP është duke punuar që disa vite kemi shfrytëzuar edhe mundësinë e bashkëpunimit me komunën e Prishtinës ku jemi duke ndërtuar ndërtesa për Agjenci të ndryshme. Në këtë periudhë e kemi ndërtimin e ICAP-it, Instituti të Administratës Publike, por jemi duke bashkëpunuar me Këshillin e Pavarur për Miniera dhe Komisionin, edhe me institucionet tjera dhe në atë hapësirë kemi mundësinë e ndërtimin e disa objekteve tjera varësisht nga ndarja buxhetore. Në këtë moment nuk kemi buxhet të tillë që të realizohen të gjitha këto kërkesa dhe për vitin e ardhshëm kemi kërkuar mjete buxhetore”, tha ministri Yagcilar.

Komento: