Komisioni për Buxhet miraton në parim plotësim-ndryshimin e ligjit për buxhetin e vitit 2026

14:25 | 24 Prill 2026
komisioni-per-buxhet-miraton-ne-parim-plotesim-ndryshimin-e-ligjit-per-buxhetin-e-vitit-2026

Komisioni për Buxhet ka miratuar në parim më gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim plotësim-ndryshimin e ligjit për buxhetin e vitit 2026.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka paraqitur para anëtarëve të komisionit projektligjin për ndryshim plotësimin e ligjit për ndarje buxhetore për vitin aktual 2026, duke thënë se kjo ka të bëj kryesisht me pakon mbështetëse për përballje me inflacionin të cilën e kanë paralajmëruar para disa ditësh në Kuvend.

“Kam nderin që sot para jush të paraqesë projektligjin për ndryshim plotësimin e ligjit për ndarje buxhetore për vitin aktual 2026, gjithsesi është një ndryshim plotësim i kufizuar vetëm në ministrinë e Financave dhe kjo ka të bëjë kryesisht me pakon mbështetëse për përballje me inflacionin të cilën e kemi paralajmëruar para disa ditësh në Kuvend. Pra, arsyeja se pse po i sjelli këtë ndryshim plotësim, është që të krijojmë hapësirën e nevojshme fiskale, e cila pra mundëson krijimin apo zbatimin e kësaj pakoje dhe mbështetjen e qytetarëve. Mënyra se si është paraparë se si do të bëhet ndryshim plotësimi, kemi të bëjmë kryesisht pra me rritjen e të ardhurave apo tatimore, aty kemi pasur një trend pozitiv që është tek të ardhurat personale, që është tatimi në të ardhurat personale dhe kjo kryesisht si rezultat i rritjes së pagës minimale dhe shtytjes që ju ka dhënë edhe pagave presion të tjera për t’u rritur në të gjithë ekonominë e vendit, pra ka një rritje të theksuar të pagave edhe në sektorin privat edhe në atë publik dhe si rrjedhojë e kësaj që trendi në tre muajt e parë ka qenë pozitiv, pra më i mirë se sa që ka qenë i parashikuar, prandaj edhe kemi parë 22 milionë shtesë që parashihet të mblidhen bazuar në trendin që e kemi deri më tani përgjatë tërë vitit, kjo pra na mundëson që të krijojmë një hapësirë shtesë fiskale prej 22 milionë eurove.

Gjithashtu tek tatimet indirekte është paraparë rritja tek mbledhja e TVSH-së vendore si rezultat i rritjes së efikasitetit të administratës tatimore dhe kontrollave specifike të targetuara. Në këtë fushë kemi rritje të paraparë sipas trendit prej 17.2 milionë eurove që parashihet  të jetë deri në fund të vitit. Shto këtu edhe tjetra është që të hyrat nga devidenta dhe ndarja e fitimit këtu ka qenë buxheti i paraparë prej 10 milionë eurove, ndërkaq aktualisht propozimi ynë është që kjo të bëhet 42 milionë euro, pra 12 milionë euro nga to parashihet të jenë nga ndarja e fitimit me BQK-në tani kemi pasqyra të përditësuara dhe ndarja e fitimit nga BQK-ja që ndodh tash për të tretin vit me radhë, parashihet të jetë rreth 12 milionë euro, ndërkaq 30 milionë euro tjera parashihen që të merren si divident e cila po ashtu është e rregulluar në pjesën tekstuale të ligjit. Pra gjithsej 42 milionë euro”, tha Murati.

Ndërsa, Kujtim Gashi nënkryetar i komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, deklaroi se ky rishikimi i buxhetit dhe pakoja mbështetëse po bëhet për të blerë vota.

“Në fakt ne kemi pritur që ky ligj të vjen për rishikim ashtu siç e keni proklamuar edhe ditën kur e keni miratu buxhetin, po në fakt ka ardhur një propozim kryesisht me dy pika kryesore, që kryesisht një pjesë e madhe me u nda si subvencione, tash po besoj arsyen pse po ndodh kjo e kemi të qartë të gjithë, edhe pak a shumë po e dimë pse po bëhet kjo, qysh është e mundshme, me ardh rishikimi i buxhetit vetëm për këto të dy qëllime e mos me u bë në të gjitha organizatat tjera buxhetore, ku ne jemi dëshmitarë që edhe ditën kur e kemi miratu buxhetin keni thënë që ka nevojë urgjente me u bë rishikimi i buxhetit dhe e treta ju thatë që një pjesë të buxhetit ku keni me i marrë për me e nda këtë shumë prej 122 milionëve por kryesisht ishin parashikime, pra nuk është se e kishit shumë të saktësuar prej cilave pozicione jeni duke i marrë mjetet për me i nda këto 122 milionë euro subvencione që po besoj që të gjithë jemi dëshmitarë se kjo po bëhet më shumë për blerje të votave meqë jemi në prag të shkuarjes në zgjedhje dhe a do të duhej që sot ta kishim propozimin për rishikim të buxhetit edhe në organizata tjera buxhetore tu pas parasysh që ka në shumë projekte mungesë të mjeteve e ndoshta me ndonjë projekt aty këtu edhe tepricë të mjeteve”, tha Gashi.

Ministri Murati tha se kjo pako është kërkuar edhe nga vet opozita duke thënë se Qeveria duhet t’i mbështesë qytetarët.

“Çështja e rishikimit është e saktë, ajo që kemi thënë qëndron që na duhet një rishikim për të gjitha organizatat buxhetore dhe se kjo merr më shumë kohë, pra sa i përket afatit kohor sepse ligji parasheh se duhet të ketë konsultime me të gjitha organizatat që bëhet rishikimi. Në këtë rast ne kemi sjellur rishikimin që prek vetëm për ministrinë e Financave si organizatë buxhetore dhe ka qenë më e lehtë që të përshpejtohet. Ju e dini që ndërmjet deklaratës që kemi pasur dhe seancës për miratimin e buxhetit në muajin shkurt dhe tani ku jemi, kanë ndodhur edhe diçka tjetër, pra ka ndodhur lufta në gjirin persik, apo Iran, gjë që ka ndryshuar komplet situatën dhe si rrjedhojë e kësaj ka qenë edhe vet kërkesa e deputetëve, pra e të gjitha grupeve parlamentare që Qeveria t’u dalë në mbështetje qytetarëve, madje unë e kam theksuar edhe atë ditë për t’iu referuar edhe kësaj shprehjes së fundit që përdoret, pra sa i përket blerjes së votave, është vetëm se dilema që sa herë që kërkohet që Qeveria të dalë në mbështetje, pra kërkohet edhe nga vet opozita që t’i mbështesë qytetarët, pastaj kur ne përgatisim pako pikërisht për ta përmbushur atë kërkesë për t’i mbështetur qytetarët kemi akuza të tilla, gjë që nuk qëndron”, tha Murati.

Komento: