
Komisioni për Buxhet ka miratuar planifikimin financiar të Radio Televizioni i Kosovës (RTK) për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, në vlerë prej 4 milionë e 480 mijë euro nga buxheti i Kosovës, mes diskutimeve për sfidat financiare dhe menaxhimin e institucionit, raporton Ekonomia Online.Drejtori i financave në RTK, Gazmend Rexhepi, tha se për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, RTK ka të parapara 4 milionë e 480 mijë euro nga buxheti i Kosovës.“Sa i përket planifikimit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, duke u mbështetur edhe në ligjin për ndarjet buxhetore të këtij viti, Radio Televizioni i Kosovës, të hyra nga buxheti i Kosovës e ka të paraparë 4 milionë e 480 mijë euro, të hyra nga burimet vetanake 610 mijë euro, të hyra nga donacionet janë 8 mijë e 750 euro. Të hyrat e përgjithshme për gjashtëmujorin e parë janë 5 milionë e 98 mijë e 750 euro, ndërsa sa i përket planifikimit të shpenzimeve për pagat e personelit janë 3 milionë e 786 mijë e 743 euro, apo nëse përkthehet në përqindje i bien 85% e buxhetit të ndarë nga Qeveria e Kosovës”, tha ai.Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, deklaroi se viti 2025 ka qenë sfidues për shkak të mosfunksionalitetit të bordit dhe Kuvendit si themelues, duke theksuar se RTK është përballur me rrezik për mospagesë të pagave, për herë të parë në historinë e saj.“Viti 2025 ka qenë një vit shumë sfidues për Radio Televizionin e Kosovës për shkak të mosfunksionalitetit të bordit dhe të themeluesit të Radio Televizionit të Kosovës që është Kuvendi. Gjatë vitit të kaluar, në aspektin financiar, ne jemi ballafaquar me dy periudha, me dy momente shumë të vështira ku është rrezikuar edhe domethënë ka ardhur edhe deri te mospagesa e pagave të rregullta të punëtorëve tanë, gjë që është hera e parë në historinë shumëvjeçare të RTK-së. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së komisionit për buxhet i cili është i autorizuar që të bëjë alokimin e mjeteve, pra të autorizojë thesarit e shtetit që ta bëjë një gjë të tillë. Si zgjidhje emergjente, ne në atë kohë patëm kërkuar një kredi nga qeveria, e cila është aprovuar në vlerë prej 2 milionë e 540 mijë euro për të financuar një tremujor duke filluar nga muaji korrik deri në muajin shtator. Mirëpo, për shkak të moskonstituimit dhe mosfunksionalizimit të plotë të Kuvendit, kriza është përsëritur edhe në muajin nëntor, kështu që edhe pagat e muajit nëntor dhe ato të tetorit janë dhënë me vonesë deri në marrjen e një vendimi tjetër nga qeveria, nga fondi rezervë, ku është bërë një zgjidhje e përkohshme financiare. Ndërkohë, ne jemi ballafaquar me sfida të ndryshme, me borxhe nga e kaluara, me kërcënime nga ana e përmbaruesve për shlyerjen e këtyre borxheve, me ngritjen e çmimeve nga ana e operatorëve ekonomikë, së fundmi edhe me ngritjen e pagës minimale, e cila ka implikime edhe në buxhetin tonë, si në rastin me punëtorët tonë të cilëve u është dashur që t’u ndryshohet kontrata e punës për të përmbushur këtë obligim ligjor, dhe po ashtu edhe me korrigjimin e kontratave me operatorët ekonomikë, të cilët kanë qenë të detyruar që t’i ndryshojnë çmimet e tyre për t’i paguar punëtorët e tyre në sigurimin fizik dhe atë të pastrimit, shërbime këto të cilat i shfrytëzojmë nga operatorët e jashtëm”, tha ai.Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, ngriti shqetësime për menaxhimin e RTK-së, duke përmendur largimin e gazetarëve dhe punëtorëve dhe duke kërkuar sqarime nëse ka probleme të brendshme apo ndjekje mbi baza politike.“Edhe ajo që po dua me ngrit si shqetësim është problemi i menaxhimit të RTK-së, te mënyra si po menaxhohet RTK-ja. Se ne kemi edhe dhjetëra televizione private në Kosovë që funksionojnë normalisht, kurse RTK-ja ka një problem të vazhdueshëm edhe në kuptimin e menaxhimit të financave. Po së fundi, fatkeqësisht, kemi probleme edhe me gazetarët, me punëtorët që punojnë në RTK. Shumë prej tyre po largohen nga puna, edhe sigurisht që dojmë me ditë si komision, pse ata po largohen nga puna? A kanë probleme me punën që po e kryejnë, apo po ndiqen në baza të bindjeve të tyre politike partiake, apo ku ashtë problemi? Për shkak se është shqetësuese mënyra se si RTK-ja i largon nga puna shumë gazetarë, sidomos viteve të fundit”, tha ai.Hundozi u përgjigj se nuk është larguar asnjë punëtor në kuptimin e plotë të fjalës, por se në dy raste ka pasur skadim të kontratave me afat të caktuar. Ai tha se, sipas raportit të Inspektoratit të Punës, RTK ka respektuar procedurat ligjore dhe nuk ka pasur shkelje.“Po ashtu siç jam udhëzuar si detyrë i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, nuk është larguar në kuptimin e plotë të fjalës asnjë punëtor nga puna. Rastet që i përmendët kanë të bëjnë me dy punonjës tanë, të cilëve u ka skaduar kontrata e punës me afat të caktuar. Kështu që nuk kemi të bëjmë me një ndërprerje të marrëdhënies së punës, mirëpo me skadim të kontratës së punës. Këtë e kemi edhe në raport zyrtar të Inspektoratit të Punës, pas ankesës që punonjësja në fjalë, Edina, e ka bërë atje dhe sipas këtij raporti zyrtar, RTK-ja si punëdhënës i ka respektuar të gjitha procedurat ligjore edhe rregullativën e vet të brendshme dhe nuk ka pasë asnjë shkelje në këtë drejtim”, tha ai.Anëtari i Lëvizja Vetëvendosje, Valon Hoti, ngriti çështjen e procedurës së miratimit, duke pyetur për ngutjen e shqyrtimit të kësaj pike.Kryetari i Komisionit, Enver Haliti, tha se mbledhja ishte thirrur për shkak të mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje si pasojë e procesit për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se nuk ka dashur të rrezikohet që RTK të mbetet pa buxhet, pasi në rast të shpërndarjes së Kuvendit, Komisioni nuk do të kishte të drejtë të mblidhej.“Kërkesa ime si kryetar i komisionit ka qenë që të përfshihen këto pika të rendit të ditës. Kemi ftuar RTK-në që të jenë prezent, duke u bazuar në dinamikën që kemi si Kuvend i Republikës. Dihet që jemi para procesit të seancës për presidentin dhe askush nuk e di se si do të jetë epilogu i asaj seance. Kështu që nuk kam dashur të rrezikojmë që të mbetet RTK pa buxhet dhe të përsëritet situata e njëjtë sikur vitin e kaluar, ku ne si komision nuk kemi të drejtë të mblidhemi”, ka thënë Haliti.