Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mblidhet sonte si pasojë e ngjarjeve në Veri

15:58 | 06 December 2022

KQZ mblidhet sonte si pasojë e ngjarjeve në Veri.

Serbët në veri nuk kanë lejuar sot që zyrtarët komunal të zgjedhjeve të kryejnë detyrën e tyre lidhur me zgjedhjet lokale që do të mbahen me 18 dhjetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Express ka treguar se zyrtarët komunal të zgjedhjeve nën përcjellje të Policisë së Kosovës kanë shkuar në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok por s’kanë arritur të ushtrojnë detyrën e tyre zyrtare.

Elezi ka thënë se po priten njoftimet nga këta zyrtarë komunal për të sqaruar situatën, ndërkohë KQZ-ja si rezultat i kësaj situate do të mbaj mbledhje sot në orën 18:00.

“Jemi në pritje të njoftimeve nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyret e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur. Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar. KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera. Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00”, ka thënë Elezi.

KoSSev ndërkohë ka raportuar se në Zubin Potok ka ndodhur një incident meqë serbët s’kanë lejuar që zyrtarë komunal zgjedhor të kryejnë punën e tyre. Siç ka raportuar ky medium, dyshohet që Policia ka ndërhyrë me shok bomba.

Komento: