Komisioni Qeveritar për të zhdukurit: Në Deçan është rivarrosur me nderime të larta dëshmori Agron Gjocaj

19:25 | 21 Shkurt 2026
komisioni-qeveritar-per-te-zhdukurit:-ne-decan-eshte-rivarrosur-me-nderime-te-larta-deshmori-agron-gjocaj

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka njoftuar se me nderime të larta është rivarrosur në Deçan, dëshmori Agron Gjocaj, që ishte në listën e personave të zhdukur.

Në njoftim bëhet e ditur edhe se ceremonia e rivarrimit u zhvillua në prani të familjarëve, bashkëluftëtarëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve institucionalë, të cilët nderuan jetën dhe sakrificën e tij për lirinë e Kosovës.

‘’ Pas më shumë se 27 viteve ankthi, shprese dhe qëndrese dinjitoze, me peshën më të madhe të mbajtur nga familja e tij, Dëshmori Agron Gjocaj u rivarros me nderimin më të lartë në tokën e Kosovës së lirë që e deshi dhe për të cilin dha gjithçka’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

Postimi:

𝐌𝐞 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐢𝐦𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐥𝐚𝐫𝐭𝐚 𝐮𝐬𝐡𝐭𝐚𝐫𝐚𝐤𝐞, 𝐮 𝐫𝐢𝐯𝐚𝐫𝐫𝐨𝐬 𝐃𝐞̈𝐬𝐡𝐦𝐨𝐫𝐢 𝐀𝐠𝐫𝐨𝐧 𝐆𝐣𝐨𝐜𝐚𝐣, 𝐪𝐞̈ 𝐢𝐬𝐡𝐭𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐋𝐢𝐬𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐏𝐞𝐫𝐬𝐨𝐧𝐚𝐯𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐙𝐡𝐝𝐮𝐤𝐮𝐫

Sot në Varrezat e Dëshmorëve në Baballoq të Deçanit, me nderime ushtarake, u rivarros dëshmori i kombit Agron Gjocaj, i rënë më 18.08.1998, që ishte në Listën e Personave të Zhdukur deri në identifikimin e eshtrave të tij.

Pas gjetjes dhe identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, në respektim të kërkesës së familjes, u rivarrosën mbetjet mortore të tij, të cilat u gjetën gjatë vitit 2025.

Ceremonia e rivarrimit u zhvillua në prani të familjarëve, bashkëluftëtarëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve institucionalë, të cilët nderuan jetën dhe sakrificën e tij për lirinë e Kosovës.

Pas më shumë se 27 viteve ankthi, shprese dhe qëndrese dinjitoze, me peshën më të madhe të mbajtur nga familja e tij, Dëshmori Agron Gjocaj u rivarros me nderimin më të lartë në tokën e Kosovës së lirë që e deshi dhe për të cilin dha gjithçka.

 Ky rivarrim, dhe çdo rivarrim, është një rikujtim i fuqishëm se drejtësia nuk është përmbushur plotësisht dhe se ka ende familje që presin me ankth një përgjigje.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur riafirmon përkushtimin e palëkundur për zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur me forcë, si dhe për mbrojtjen e të drejtës së familjeve për të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

Lavdi dhe nderim i përjetshëm dëshmorit të kombit Agron Gjocaj.

Komento: