
Kompania amerikane për prodhimin e armëve, AM General, ka njoftuar në profilin e saj zyrtar në “linkedin” për kontratën e arritur me Republikën e Kosovës.
AM General ka bërë të ditur se me Kosovën ka finalizuar një kontratë kornizë trevjeçare, Shitje Direkte Komerciale (DCS), që ka të bëjë me Sistemet Mobile me Howitzer (MHS) HUMVEE Hawkeye 105mm, përveç kamionëve të ndryshëm mbështetës nga familja e automjeteve HUMVEE, pjesëve rezervë dhe shërbimeve të trajnimit/mirëmbajtjes.
Zyrtari i lartë i kësaj kompanie që ka nënshkruar marrëveshjen me ministrin e FSK-së, Ejup Maqedoncin, John Chadbourne, ka thënë se janë krenar për arritjen e marrëveshjes me Kosovën.
“Jemi krenarë të njoftojmë shitjen me sukses të HUMVEE Haëkeye Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, një dëshmi e angazhimit tonë për të ofruar zgjidhje të përparuara për nevojat moderne ushtarake”, ka thënë John Chadbourne, Zëvendëspresident i Përgjithshëm Ekzekutiv i Zhvillimit të Biznesit i AM.
“Ky sistem mishëron qëndrueshmëri, shkathtësi dhe teknologji të përparuar, duke siguruar që forcat e armatosura të Kosovës të jenë të pajisura me mjetet më të mira për të mbrojtur dhe shërbyer. Ne mezi presim të vazhdojmë partneritetin tonë me subjektet e mbrojtjes në të gjithë botën, duke ofruar automjete që rrisin efektivitetin operacional dhe sigurinë.”, ka shtuar ai.
Kompania ka dhënë detaje për Humvee Hawkeye, duket treguar se janë të pajisur me një teknologji të quajtur si “Soft Recoil”, që mundëson zhvendosje më të butë pas goditjes dhe nuk dëmton fare automjetin.
Përveç HUMVEE Hawkeyes, FSK-ja do të marrë gjithashtu ambulanca, kamionë komande dhe kontrolli, së bashku me kamionë të tjerë mbështetës. Dorëzimet vlerësohet të fillojnë brenda dy viteve të ardhshme.