Kompanitë ajrore nuk do të përfitojnë nga ndihma e shtetit

13:58 | 11 Prill 2020

Komisioni për Ndihmë Shtetërore ka vendosur të shpallë të ndaluar dhe të mos autorizojë ndihmat milionëshe që shteti planifikonte të ndante për kompanitë ajrore.

Në fund të muajit shtator të vitit të shkuar, Ministria e Infrastrukturës kishte vendosur që të “nxisë” tregun e kompanive ajrore. Ishte planifikuar që çdo vit të ndahen nga 3 milionë euro për kompanitë ajrore, bazuar në numrin e biletave të shitura dhe numrin e linjave të fluturimit.

Vendimi i publikuar në Gazetën Zyrtare ka hyrë në fuqi më 12 mars.

“Masa e njoftuar e ndihmës ‘Nisma për fuqizimin e programit nxitës për zhvillimin e tregut të transportit ajror në Republikën e Kosovës 2020-2022’ nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, në formë të grantit të drejtëpërdrejtë në vlerë prej 9mil Euro, të ndara në tri vite proporcionalisht, për aviokompanitë që operojnë në ANP ‘Adem Jashari’, është ndihmë e ndaluar dhe si e tillë nuk autorizohet”, thuhet në vendimin e marrë nga Komisioni për Ndihmë Shtetërore.

Në konkluzione thuhet se kjo nismë s’është në përputhje me tregun e brendshëm sepse nuk plotëson kriteret e përcaktuara me udhëzuesin e vitit 2014 për ndihmën shtetërore për aeroportet dhe kompanitë ajrore të Komisionit Evropian.

Komento: