Kompanitë me lidhje serbe dhe ruse ia mësyjnë IPKO-s

22:17 | 26 August 2020

Operatori i telefonisë mobile IPKO, po bëhet gjithnjë e më atraktiv për investitorët e rajonit, duke u parë jo vetëm si investim me përfitim ekonomik, por edhe strategjik.

Kështu deri më tash mësohet se janë edhe kompani që ose në mënyrë direkte, apo indirekte, janë të ndërlidhura me shtetin e Serbisë dhe të Rusisë.

Pas shprehjes së interesit për të blerë operatorin jopublik të telefonisë mobile dhe internetit IPKO nga Telekomi i Serbisë, së fundi është futur në lojë edhe një ivestitor i shumëpërfolur bullgar, me lidhje të shumëfishta ruse dhe me dyshime për përfshirje në afera kriminale, bëjnë të ditur burime të lidhura me zhvillimet.

Albania Telecom Invest AD, në kuadër të rrjedhës së çuditshme të ngjarjeve, në fillim të vitit të kaluar u bë kompania që bleu Telekomin e Shqipërisë, raporton RTK.

Albania Telecom Invest AD kishte qenë e suksesshme të merrte kontrollin e Telekomit të Shqipërisë, vetëm kur në blerjen e tij kishte dështuar Telekomi i Serbisë. Këtë transaksion e kishte ndërprerë në tetor 2018 kryeministri shqiptar, Edi Rama, nën arsyetimin se “bizneset serbe janë të mirëseardhura, por se në këtë sektor strategjik, kjo nuk është një preferencë”.

Duket se bashkëpronarët e saj, bullgari Spas Roussev dhe shtetasi shqiptaro-bullgar, Elvin Guri, tash duan ta shtrijnë ndikimin e tyre në tregun strategjik të telekomunikacionit edhe në Kosovë.

Mediat në Shqipëri kanë raportuar në janar të vitit të kaluar se Roussev zotëron 51%, kurse Guri 49% të aksioneve të kompanisë e cila u krijua më 21 nëntor 2018.

Nga Telekomi i Serbisë kanë konfirmuar për media se kanë bërë ofertë joobliguese për blerjen e operatorit kosovar, në kuadër të planeve të tyre të zgjerimit në rajon, por nuk kanë dhënë më tepër detaje.

Ndërkohë, edhe në Kosovë, përfaqësues institucionesh dhe politikanë të shumtë kanë shprehur kundërshtitë dhe pamundësinë që IPKO-ja t’i shitet një ndërmarrjeje që kontrollohet me 58.11 % të aksioneve nga shteti serb, siç është rasti me Telekomin e Serbisë.

Këtu duhet se bullgari Roussev, nëpërmjet të ortakut të tij me prejardhje shqiptare, Guri, kanë parë mundësinë e përsëritjes së skenarit të njëjtë, që IPKO të bie në duar të tyre pas dështimit të blerjes nga shteti serb, shkruan RTK.

Por kush janë Roussev dhe Guri, sipas shumë shkrimeve në media dhe organizata prestigjioze ndërkombëtare dhe rajonale?

Dokumentet e rrjedhura nga Wikileaks e portretizojnë Spas Roussevin si njërin nga bullgarët që arriti pasuri marramendëse pas rënies së komunizmit në Bullgari, me lidhje me mafian e atjeshme dhe me pushtetin e Kremlinit.

I quajtur shpesh si “oligarku djathtist” dhe “kardinali i përhitur”, ai vëhet në lidhje me figura të njohura nga krimi i organizuar në Bullgari, si Ivan Todorov, Vasil Bozhkov dhe Petar Petrov. (https://www.capital.bg/politika_i_ikonomika/kquarterly/2017/01/15/2945396_spas_roussev_the_businessman_every_bulgarian/).

Roussev në vitin 2016 ishte bërë pronar i Operatorit Bullgar të Telekominikacionit, nën konsorciumin kryesor të telefonisë mobile Vivacom nga VTB Capital. Por “The Financial Times” në Londër, duke raportuar për ndërlidhjet e Spasevit me njerëz të afërt me Putinin, shkruan se ai në Vivacom ka partnere bankën e themeluar nga qeveria ruse, VTB (https://www.ft.com/content/cef3720c-a240-11e9-974c-ad1c6ab5efd1).

Aty shtohet se edhe një biznesmen rus, Dmitry Kosarev, ka nisur proces gjyqësor kundër Roussevit, duke pretenduar se nuk po i njihen aksionet e tij në Telekomin bullgar (https://www.emprenoventures.com/news).

Organizata joqeveritare ndërkombëtare “The Organized Crime and Corruption Reporting Project (OCCRP)”, qysh në vitin 2015 kishte raportuar se Vivacom është blerë nga një grup i lidhur me një oligark të oborrit të Vladimir Putinit (https://www.occrp.org/en/daily/3792-bulgaria-s-largest-telecoms-firm-bought-by-group-linked-to-sanctioned-oligarch).

Ata, duke u bazuar në raporte hulumtuese, shkruanin se Roussev e kishte partner rus, Konstantin Malofeev, një ndër njerëzit më të afërt të Putinit, por se pasi që kjo u bë publike në media, Sofja e kishte pamundësuar pjesëmarrjen e tij.

Ndërkaq, një analizë e “Reporting Project”, e publikuar edhe nga OCCRP, (https://www.reportingproject.net/internetownership/?p=150), tregon për se me anë të kompanisë Vivacom, Moska dëshiron të ketë nën kontroll pjesë të mëdha të infrastrukturës në rajon.

Sa i përket blerjes së IPKO-s, nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP), më herët është deklaruar se pa pëlqimin e tyre nuk mund të bëhet asnjë shitje e operatorit kosovar dhe as bartja e të drejtës dhe detyrimeve.

Dyshimet janë se këtu Spassev ka parë benefitin e përfshirjes së partnerit të njëjtë që e ka në Shqipëri, Elvin Guri, i cili që nga viti 1992 jeton në Bullgari, i martuar me të bijën e një ish-funksionari të lartë bullgar.

Guri edhe më herët kishte tentuar të hyjë në tregun e Kosovës, kur kishte dashur të blente një bankë komerciale, por mësohet se transaksioni ishte ndaluar si i dyshimtë nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

https://www.capital.bg/politika_i_ikonomika/kquarterly/2017/01/15/2945396_spas_roussev_the_businessman_every_bulgarian/

Komento: