
Komuna e Novobërdës ka tejkaluar vlerën e planifikuar të kontratës për furnizim me pelet për ngrohjen e institucioneve komunale, sipas njoftimit zyrtar për nënshkrimin e kontratës, të publikuar më 18 nëntor 2026.
Sipas dokumentit të prokurimit, vlera e parashikuar e kontratës ishte 28,000 euro, ndërsa kontrata është nënshkruar në vlerë prej 36,714 eurosh. Kjo nënkupton se Komuna e Novobërdës ka tejkaluar vlerën e planifikuar për 8,714 euro, apo rreth 31.1 për qind, raporton ORAinfo.

Me këtë vlerë të kontratës, komuna do të furnizohet me gjithsej 87 tonë pelet, të destinuar për ngrohjen e institucioneve komunale, përfshirë objektet shkollore, shëndetësore dhe objektin e komunës.
Nga përllogaritja e vlerës së përgjithshme të kontratës në raport me sasinë e peletit, rezulton se çmimi mesatar për një ton pelet arrin në 422 euro.
Kontrata është nënshkruar më 16 nëntor 2026 me operatorin ekonomik “NAZI TRAVEL”, me seli në Prishtinë.
Një tjetër e dhënë që bie në sy në këtë proces të prokurimit është numri i ofertave të përgjegjshme. Nga gjithsej katër ofertat e pranuara, vetëm një është vlerësuar si e përgjegjshme. Si rrjedhojë, vlera e kontratës së nënshkruar është 36,714 euro.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për kontratë publike kornizë me kohëzgjatje prej nëntë muajsh, e financuar nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës. /ORAinfo/