Komuna e Podujevës përfiton 10 projekte nga bashkëpunimi me FKEE-në

15:39 | 04 Korrik 2024
komuna-e-podujeves-perfiton-10-projekte-nga-bashkepunimi-me-fkee-ne

176 familje nga Podujeva kanë qenë përfituese të investimeve në efiçiencë të energjisë, në vlerë 705 mijë euro nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), nga viti i kaluar. Ndërsa shuma totale e mbështetjes në projekte të ndryshme nga FKEE për Komunën e Podujevës dhe qytetarët e saj është 2.3 milionë euro.

Në një takim të zhvilluar në mes kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtorit të  Fondit Kosovar për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), Driton Hetemi u diskutua për punën e deritanishme që ka kryer FKEE, ku ka përfunduar 5 projekte dhe 5 të tjera pritet të zbatohen këtë vit.

“Me projektin e efiçiencës së energjisë sivjet do të investohet në objektin e Komunës së Podujevës në instalimin e paneleve solare, në IAAP “Isa Boletini”, SHFMU “Ali Ajeti” Lladoc, SHFMU “Hamit Sejdiu” Kërpimeh, dhe SHFMU “Shefki Kuleta” Tërrnavë. Në të gjitha objektet shkollore do të bëhet izolimi termik i mureve dhe kulmi, ndërrimi i dritareve, përmirësimi i ndriçimit, përmirësimi i sistemit të ngrohjes dhe ujit sanitar”, u shpreh Bulliqi, njofton Komuna e Podujevës.

Ai gjithashtu shprehu falënderime për drejtorin e FKEE-së, teksa theksoi se bashkëpunimi mes tyre veçse do të thellohet, me qëllim të realizimit të sa më shumë projekteve në këtë komunë.

Komento: