Komuna e Prishtinës cakton lokacionin për shitjen e kafshëve për Bajram

10:52 | 17 Mars 2026

Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët dhe shitësit e shpezëve dhe kafshëve të tjera lidhur me organizimin e shitjes me rastin e Festës së Bajramit.

Sipas njoftimit të komunës, më 18 dhe 19 mars 2026, shitja e këtyre kafshëve do të lejohet vetëm në një lokacion të caktuar në fshatin Bernicë e Poshtme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Të dashur qytetarë, Kryeqyteti njofton të gjithë shitësit e shpezëve dhe kafshëve të tjera se më 18 dhe 19 mars 2026, me rastin e Festës së Bajramit, do të lejohet shitja e tyre vetëm në lokacionin e ri në fshatin Bernicë e Poshtme, në parkingun në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ (ish tregu i automjeteve)”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se në këtë hapësirë do të lejohet vetëm shitja e kafshëve, ndërsa therja apo prerja e tyre ndalohet në çdo rrethanë.

“Në këtë lokacion lejohet vetëm shitja e kafshëve, ndërsa nuk lejohet therja apo prerja e tyre në asnjë rrethanë”, theksohet më tej.

Komuna ka bërë thirrje edhe për ruajtjen e pastërtisë në hapësirat përreth.

“Po ashtu, kërkohet nga të gjithë shitësit që gjatë qëndrimit dhe aktivitetit të tyre të kujdesen për mirëmbajtjen e ambientit përreth, duke mos hedhur mbeturina apo mbetje të tjera”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, autoritetet kanë paralajmëruar masa për ata që nuk respektojnë vendimin.

“Për mbarëvajtjen e aktivitetit do të kujdeset Inspektorati i Kryeqytetit, ndërsa ndaj të gjithë shitësve që hasen duke zhvilluar aktivitet jashtë këtij lokacioni do të ndërmerren masa ligjore sipas legjislacionit në fuqi”, përfundon njoftimi i Komunës së Prishtinës.

Komento: