Komuna e Prishtinës lejon marshin e 17 shkurtit për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

16:56 | 26 Janar 2026
komuna-e-prishtines-lejon-marshin-e-17-shkurtit-per-drejtesi-ndaj-ish-krereve-te-uck-se

Platforma qytetare “Liria ka Emër” thotë se ka siguruar “lejen zyrtare nga Komuna e Prishtinës për shfrytëzimin e hapësirës publike, me qëllim të organizimit të marshit qytetar me moton “Drejtësi, jo politikë!””.

“Marshi do të mbahet më 17 shkurt, duke filluar nga ora 14:00, në hapësirën publike të miratuar nga autoritetet komunale, në përputhje të plotë me kërkesën e paraqitur nga organizatorët dhe me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Sipas dokumentit zyrtar të lëshuar nga Komuna, platforma “Liria ka Emër” thotë se “leja është dhënë për përdorimin e hapësirës publike në orarin e kërkuar, duke garantuar kështu mbarëvajtjen e aktivitetit qytetar në mënyrë paqësore dhe të rregullt”.

“Platforma “Liria ka Emër” u bën thirrje qytetarëve të Prishtina dhe mbarë Kosovës që t’i bashkohen këtij marshi paqësor, si shprehje e kërkesës për drejtësi të paanshme për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vite. Ky marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, thuhet në njoftim.

Komento: