Komuna e Prishtinës ndanë mbi 2 milionë euro për ndërtimin e shkollave të reja

11:12 | 23 Shtator 2022

Të mërkurën Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi buxhetin për vitin 2023 në vlerë 105 milionë e 675, 981 euro. Ky është buxheti më i madh në historinë e komunës.

Gjatë vitit të ardhshëm, komuna ka planifikuar të ndërtoi edhe tri shkolla të reja.

Një shkollë pritet të ndërtohet në lagjen “Kalabria”, për të cilën tashmë janë ndarë gjysmë milioni euro, për shkollën në Vranidoll janë ndarë 350 mijë euro ndërsa për ndërtimin e shkollës “7 shtatori” janë ndarë gjysmë milioni.

Përveç ndërtimit të tri shkollave të reja, Komuna ka paraparë edhe ndërtimin e një aneksi në shkollën “Pavarësia”. Për këtë ndërtim janë ndarë 800 mijë euro.

Dje nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj në një intervistë për IndeksOnline ka thënë se në të ardhmen parashihet edhe ndërtimi i shkollës tjetër në lagjen “Kodrina”.

“Në atë lagje, parashihet një shkollë të ndërtohet afër, ekziston lokacioni, ekziston planet dhe do të vazhdojmë tutje më ndërtimet të pjesës publike për të ndihmuar jetën e qytetarëve”, ka thënë Zogaj.

Këto projekte janë paraqitur në vjeshtën e vitit të kaluar nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Komento: