Komuna e Prishtinës në pritje të votimit të buxhetit për vitin 2025

21:59 | 23 Shtator 2024
komuna-e-prishtines-ne-pritje-te-votimit-te-buxhetit-per-vitin-2025

Kuvendi i Prishtinës nuk ka arritur ende ta miratojë buxhetin për vitin 2025. Kjo pasi opozita është  shprehur kundër këtij propozimi nga kryetari Përparim Rama. Sipas opozitës, buxheti i propozuar nuk i përmbush nevojat e qytetarëve të kryeqytetit. Kurse kryetari Rama thotë se buxheti e transformon Prishtinën.

Opozita në Kuvendin e Komunës ka dalë kundër buxhetit të propozuar nga ekzekutivi i Prishtinës.

Sipas Vetëvendosjes, në buxhet nuk janë të përfshira pjesa më e madhe e premtimeve zgjedhore me të cilat Përparim Rama i ka fituar zgjedhjet.

“Si Lëvizje Vetëvendosje e kemi shprehur përkrahjen tonë për aq kohë sa ky buxhet sqarohet dhe i njëjti argumentohet që është në nevojë të qytetarëve, por siç e patë edhe gjatë debateve në Kuvendin Komunal, ata as vetë nuk e dinë se çfarë përmban buxheti”, tha Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të VV-së në Prishtinë

Në PDK thonë se ky buxhet ka mjaftueshëm probleme.

“Ky buxhet ka mjaftueshëm probleme, nuk reprezenton kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të kryeqytetit. Vërehen mangësi të mëdha gjatë shqyrtimit që kemi pasur të këtij projektbuxheti”, tha Granit Geci, asamblist i PDK-së në Prishtinë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk pajtohet dhe jep kritika për opozitën. Thotë se ky buxhet e transformon kryeqytetin.

“Kemi pika të ndryshme me investime të mëdha në infrastrukturë, me investime në arsim, në kulturë dhe sport, në mirëqenie sociale, në të gjitha sferat për zhvillim të kryeqytetit. Opozita nuk donte ta votonte, por donte t’i politizonte çështjet dhe kapen për gjëra që nuk kanë lidhej me buxhetin”, tha Rama.

Buxheti i paraparë për kryeqytetin kap shifrën e rreth 128 milion eurove.

Komento: