Komuna e Prishtinës paditet nga punëtorët teknik

13:26 | 29 April 2019

Punëtorët teknikë të disa shkollave të Prishtinës, punëtorët e sigurimit dhe të Qendrave Mjekësore e Familjare të Prishtinës, kanë filluar procedurat për ngritje të padisë ndaj komunës së Prishtinës. Kjo padi është bërë si rezultat i mos respektimit të vendimeve që kanë marrë krerët e Prishtinës për këtë kategori të punëtorëve.

Këta punëtorë po kërkojnë të kthehen nën menaxhim të komunës së Prishtinës dhe pagesën e 4 për qindëshit, ashtu siç u është premtuar nga kryetari, Shpend Ahmeti.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se grevën e paralajmëruar për këtë javë e kanë anuluar pasi që kanë në proces padi për komunën.

Ai paralajmëroi grevë në momentin kur do të jetë tejet e nevojshme prania e këtyre punëtorëve nëpër shkolla e institucione shëndetësore.

“Ne kemi parë të arsyeshme që vendimi për futje në grevë të merret javën e ardhshme me arsyetimin se sindikata tash vetëm ka filluar procedurën gjyqësore ndaj komunës sepse normal që ne kemi të gjitha argumentet për pagesën e kësaj çështje …ne do të hyjmë në grevë në momentin kur personave që e kanë sjell gjendjen deri në këtë moment do u kushtoj më së shtrenjti, do ta gjejmë ditën kur atyre do u kushtoj më së shtrenjti, dhe në njëfarë forme do të punojmë që punëtorët me futjen në grevë të jenë sa më të qëndrueshëm”, tha Azemi.

Duke folur për gjendjen e punëtorëve teknik të shkollave dhe qendra mjekësore të Prishtinës, Azemi tha se atyre po u mohohet e drejta për të marr benifitet që ua jep edhe ligji i punës.

“Benifite ka ende të cilat ligji ia thotë dhe të cilat ende nuk po implementohen siç është puna jashtë orarit, puna nëpër vikende, puna nëpër festa do të thotë këto besoj që duhet patjetër të impementohen….Ka ardhur momenti të futemi në një grevë pa afat…Të gjitha dokumentacionet janë të nënshkruara që komuna e Prishtinës është obligative me nënshkrim të kryetarit të komunës për pagesën e 4 për qindëshit , dhe të gjitha rritjet që do jenë nga 1 shtatori i këtij viti obligojnë komunën e Prishtinës që këta punëtorë me aq rritje sa është bërë në sektorin publik të bëhet edhe tek këta punëtor”, u shpreh kryesindikalisti Azemi.

Kryesindikalisti Azemi ka akuzuar të parin e kryeqytetit, Shpend Ahmeti se problemet e Prishtinës i ka vendosur në rend të dytë dhe më shumë po bënë marketing politik.

“Ky ka nisur tepër me u marrë me politikë dhe gjërat elementare për të cilat mund t’i kushtojnë fatkeqësisht Prishtinës më duket si i ka vendosur në rend të dytë, tash e pash një peticion për pagën minimale dhe më duket se më shumë është një marketing politik…Më së pari duhet shtëpinë e vetë ta pastroj, të kryej obligimet ndaj këtyre punëtorëve, pastaj të kërkoj diçka tjetër”, tha Azemi.

Kujtojmë që punëtorët teknikë të shkollave dhe qendra mjekësore të Komunës së Prishtinës para objektit të komunës javës që shkoi dhe po ashtu pakënaqësitë e tyre i kanë shprehur edhe përmes grevave një ditore.

Komento: