Policia në aksion për largimin e veturave nga trotuaret.
Pesë muaj nga nisja e aksionit të Policisë për lirimin e trotuareve nga automjetet, në rajonin e Prishtinës janë shqiptuar rreth 15 mijë e 300 gjoba ndaj ngasësve.
Ndërsa, nga janari e deri në shtator të këtij viti, në rajonin e kryeqytetit, për shkak të parkimeve ilegale, policia ka konfiskuar 2 mijë e 757 automjete, raporton KTV.
Në kuadër të Policisë funksionon edhe një task-forcë, e cila liron hapësirat e këmbësorëve nga automjetet.
Për të gjitha veturat, që policia i has të parkuara në mënyrë të parregullt dhe në vendet e ndaluara për parkim, vendos njoftim zyrtar për paraqitje të obligueshme në stacion policor, ndërsa drejtuesit të automjetit më pas i shqiptohet gjobë për kundërvajtje.
Në anën tjetër, ngasësit thonë se në mungesë të parkingjeve të rregullta, po detyrohen t’i shfrytëzojnë hapësirat e ndaluara.
Ankesa kanë edhe banorët e lagjeve të Prishtinës.
Pa e paguar gjobën, pronarët e automjeteve nuk mund të bëjnë regjistrimin, vazhdimin e regjistrimit apo ndërrimin e pronarit të automjetit.
Për këtë çështje, policia ka dy thirrje. Një për komunën, e tjetrën për ngasësit.
Që nga viti 2016, Komuna e Prishtinës ka themeluar ndërmarrjen “Prishtina Parking”, por si e tillë ajo mbetet vetëm në letër.
Në kohën kur kryeqyteti përballet me mungesë dhe kaos parkingjesh, as pas tre vjetësh komuna nuk ka arritur ta funksionalizojë këtë ndërmarrje.