Edhe pse kanë kaluar katër ditë nga festa e Vitit të Ri, Komuna e Prishtinës ka vazhduar edhe sot me dekorimin e sheshit.
Zakonisht dekorimet qëndrojnë në kryeqytet deri në javën e parë të Vitit të Ri, ndërsa këtë vit kjo javë e gjeti sheshin ende në proces të dekorimit, shkruan ORAinfo.
Komuna e Prishtinës këtë vit ka ndarë rreth 70 mijë euro për ta dekoruar kryeqytetin për festat e fundvitit, diku rreth 12 mijë euro më shumë se vitin e kaluar.
Për këtë shumë të ndarë, Kryetari Shpend Ahmeti ishte arsyetuar se dekorimit të sheshit i gëzohen shumë qytetarët.
Por, përkundër ndarjes së këtij buxheti komunal, punimet për dekorim kanë filluar me vonesë, e madje ende nuk kanë përfunduar.
Se një punë e tillë po vazhdon edhe më tutje, mund ta shihni përmes pamjeve të siguruara nga ORAinfo.
Një gjë e tillë, nuk ka ndodhur viteve të kaluara në Prishtinë, por duket se Kryetari, Shpend Ahmeti e ka lënë anash punën me komunë e është fokusuar në postin e marr për të qenë pjesë e grupit negociator në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë./ORAinfo/