Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar konferencën e Rambujesë, 20 vjet më parë, si fitoren e parë diplomatike të Kosovës.
Ai ka thënë që kjo marrëveshje ka finalizuar procesin e çlirimit të Kosovës, që sipas tij u shndërrua në “testament” për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë bashkimi i spektrit politik në atë kohë dhe besimi i palëkundur te Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bëri të mundur arritjen e kësaj marrëveshjeje, përcjell ORAinfo.
Postimi i plotë i Thaçit:
Finalizimi i Konferencës së Rambujesë në Paris, 20 vjet më parë, ishte fitorja e parë diplomatike e Kosovës, e cila i hapi rrugë intervenimit ushtarak të NATO-s për të parandaluar spastrimin etnik në Kosovë.
Kjo marrëveshje finalizoi procesin e çlirimit të Kosovës, i nisur nga sakrifica dhe lufta jonë. Ajo u shndërrua në testament për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Bashkimi i spektrit politik në atë kohë dhe besimi i palëkundur te Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bëri të mundur arritjen e kësaj marrëveshjeje pas negociatave të vështira dhe rraskapitëse. Sot, si 20 vjet më parë, duhet të bashkohemi të gjithë për të jetësuar ëndrrën e radhës – anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB. /ORAinfo/