Konfirmohet aktakuza për korrupsion ndaj Dhurata Hoxhës dhe tre të tjerëve

12:03 | 14 October 2022

Gjykata e Apelit konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj Dhurata Hoxhës dhe tre të tjerëve.

Gjykata e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha dhe tre të akuzuarve të tjerë Ekrem Tahiri, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Bashkë me të për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohen Mustafa dhe Dushi, ndërsa Tahiri akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Fitim Mustafa, avokat Arbër Jashari, Dhurata Hoxha, avokat Florent Latifaj, Gëzim Dushi, avokate Kosovare Klemendi dhe Ekrem Tahiri, avokat Driton Muharremi, të paraqitura kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me kundërshtimet dhe kërkesat për hudhje të aktakuzës.

Me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit Special të 27 korrikut 2022, janë refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruar nga mbrojtësit e lartcekur.

Kundër këtij aktvendimi brenda afatit ligjor ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, avokati Jashari, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale, aplikimit të gabuar të dispozitave materiale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. I njëjti ka propozuar që Gjykata e Apelit ankesën ta aprovoj si të bazuar, aktvendimin e ankimuar ta ndryshoj në mënyrë që ta hudhë aktakuzën e ushtruar ndaj Mustafës.

Avokati Latifaj për të akuzuarën Hoxha, ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike me propozim që Gjykata e Apelit ta kthej çështjen në rivendosje ose ta hudhë poshtë aktakuzën dhe të pushohet procedura penale.

Ndërsa, avokatja Kelmendi për të akuzuarin Dushi nuk i ka specifikuar shkaqet ankimore por ka propozuar që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën dhe aktakuza të hudhet si e pabazuar.

Ndërkaq, avokati Muharremi për të akuzuarin Tahiri, ka paraqitur ankesë për shkak të shkeljes esenciale të procedurës penale, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së dispozitave materiale. Ai ka propozuar që Apeli ta aprovojë ankesën dhe ta hudhë aktakuzën ose të anulohet aktvendimi dhe çështja të kthehet në rivendosje.

Prokuroria e Apelit me parashtresën e 31 gushtit 2022, ka propozuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe vendimi i ankimuar të vërtetohet.

Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit pretendimet ankimore nuk janë të bazuara sepse me aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë janë vlerësuar në mënyrë të drejtë kërkesat e paraqitura nga mbrojtësit dhe sipas Apelit janë dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngritur nga PSRK, dëshmohet se ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen duke u mbështetur në prova materiale.

Andaj, sipas Apelit nga vlerësimi i shkresave të lëndës për këtë fazë të procedurës nuk ka asnjë rrethanë që do të mund të plotësonte kushtet për kundërshtimin e provave si dhe kushtet për hudhjen e aktakuzës.

Tutje, në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se gjykata e shkallës së parë ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye lidhur me dyshimin e bazuar rreth provave të kundërshtuara dhe drejtë ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme, të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, duke u bazuar në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës dhe se nga veprimet e përshkruara në aktakuzë, tani ekzistojnë elemente qenësore të veprave penale për të cilën janë akuzuar të akuzuarit, prandaj Gjykata e Apelit thekson se në këtë drejtim pretendimet ankimore janë të pabazuara.

Po ashtu, thuhet se pretendimet e mbrojtësve në lidhje me provat, të cilat janë paraqitur në këtë aktakuzë janë të pabazuara sepse sipas tyre Apeli gjen se në parim provat ndaj të pandehurve janë marrë në mënyrë të ligjshme ndërsa për besueshmërinë dhe vlerësimin e provave i takon gjykatës së shkallës së parë që ti vlerësojë provat në raport me të gjithë të akuzuarit dhe të vendos lidhur me administrimin e tyre në procedurën gjyqësore.

Sipas Apelit pretendimet e tjera të mbrojtësve kryesisht kanë të bëjnë me vlerësimin e provave, çka kjo gjykatë gjen se në këtë fazë të procedurës nuk mund të vlerësohen provat, por të njëjtat duhet të administrohen në shqyrtimin e hapur gjyqësor.

Për arsyet e lartcekura kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar drejtë kur ka refuzuar kërkesat e mbrojtësve të të akuzuarve për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave si të pabazuara.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 1 qershor 2022, të akuzuarit Hoxha, Tahiri, Mustafa dhe Dushi ishin deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), përmes aktakuzës të ngritur ndaj ish- ministres Hoxha po pretendon se e njëjta keqpërdori detyrën zyrtare si ministre, nën dyshimin se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ngritur më 12 maj 2022, Dhurata Hoxha ngarkohet se në cilësinë e ministres së MIE-së kishte nënshkruar kontratën për Shërbime të Informimit Publik për nevoja të MIE dhe operatorin ekonomik “PR Solution”.

Në aktakuzë thuhet se edhe pse ky aktivitet i prokurimit kishte qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA), e pandehura Hoxha në kundërshtim me ligjin, si ministre kishte shfrytëzuar këtë duke promovuar fushatën e saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019.

Tutje thuhet se promovimi ishte realizuar me publikimin e banerëve, videove që vinin në pah të pandehurën Hoxha, e në kundërshtim me parimet dhe kushtet e kësaj kontrate, duke i mundësuar të pandehurës përfitim të padrejtë në dëm të buxhetit të Kosovës, në shumën prej 143 mijë e 447 euro e 80 centë.

I pandehuri Fitim Mustafa akuzohet se në cilësinë e zyrtarit përgjegjës i Prokurimit të MIE-së, me dashje kishte keqpërdoruar detyrën zyrtare pasi kishte kontraktuar dy operatorë ekonomikë, “PR Solution” dhe N.Sh “2B”, të përzgjedhur fillimisht nga Komisioni i Vlerësimit si OE që kishin plotësuar kriteret sipas dosjes së tenderit për aktivitetin e prokurimit “Kontrata për shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, duke e vënë kriter shtesë të papërcaktuar në dosje të tenderit, e duke ndikuar kështu në mënyrë të kundërligjshme të eliminohet OE, i cili kishte ofruar çmimin për rreth 192 mijë e 700 euro më të ulët në një tender me kriter çmimin më të ulët, ndërsa me kontratën në fjalë të shpërblehej OE “PR Solution”.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Mustafa ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, par.2 të Kodit Penal.

I pandehuri Gëzim Dushi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, në periudhën kohore gusht 2019- janar 2020, duke qenë menaxher i kontratës: “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, me dashje nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontrate, me qëllim që të përfitonte e pandehura Dhurata Hoxha.

Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte lejuar të pranoheshin shërbimet dhe të kryheshin pagesa edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e pranuara nuk ishin shërbime konform kushteve të kontratës dhe se ishte në dijeni se shërbimet e pranuara që përfshinin publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që vënin në pah të pandehurën Dhurata Hoxha për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, në të cilat kishte kandiduar edhe e pandehura Hoxha.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, par.2 të KPRK-së.

I pandehuri Ekrem Tahiri ngarkohet se nga muaji gusht deri në tetor 2019 në cilësi të bashkëpronarit dhe drejtorit të kompanisë “PR Solution” Shpk, kompania e të cilit kishte hyrë kontratë me MIE me qëllim të informimit të qytetarëve rreth proceseve të ndryshme të veprimtarisë së MIE-së, me dashje nuk i kishte kryer në përputhje me kontratën edhe pse ishe në dijeni se shërbimet e kryera nuk ishin shërbimet të ofruara konform kushteve të kontratës sipas dosjes së tenderit.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij për veprën penale të mashtrimit.

Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurve Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi dhe Fitim Mustafa t’iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratës publike.

Kurse, ndaj secilit të pandehur ka kërkuar nga gjykata të shqiptojë dënimin plotësues urdhrin për kompensimin e dëmit të buxhetit të Kosovës.

Ndryshe, Hoxha për akuza për korrupsion është duke u akuzuar edhe një rast tjetër.

Komento: