Konfirmohet: Arber Zeneli mungon në ndeshjen kundër Bullgarisë

13:43 | 08 Qershor 2019

Ylli i kombëtares së Kosovës, Arbër Zeneli do të mungojë në ndeshjen kundër Bullgarisë.

Menaxheri i skuadrës së Kosovës, Bajram Shala, e ka konfirmuar për Gazetën Express se Arbër Zeneli do të mungojë në ndeshjen kundër Bullgarisë dhe tani do të niset për në Francë, ku do t’i vazhdojë trajtimet mjekësore.

Bernard Challandes ka marrë lajm të keq nga Arbër Zeneli sot, pasi që është konfirmuar se ai nuk do të jetë i gatshëm të luajë kundër Bullgarisë, duke e shtuar kështu listën e lojtarëve të lënduar te “Dardanët”, raporton Gazeta Express.

Për ndeshjen kundër Bullgarisë Challandes do të duhet ta vendosë formacionin e parë edhe pa Hekuran Shalën, Hekuran Kryeziun e Valon Berishën, si dhe Zenelin. Të gjitha këta futbollistë kanë qenë të rregullt në formacionin e parë të Kosovës.

“Zeneli do të mungojë në ndeshjen ndaj Bullgarisë. Ai tash shkon në Francë, ku do t’i vazhdojë trajtimet mjekësore”, ka thënë Bajram Shala për Gazetën Express.

Vetë klubi i anësorit të Kosovës, Stade de Reims, ka kërkuar që Zeneli ta vazhdojë procesin e rikuperimit në Francë, nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të klubit.

Më herët babai i Zenelit, Avniu, kishte bërë të ditur se futbollisti ka gjasa të futet në operacion për lëndimin e tij në gju, megjithatë ky vendim do të merret pasi të bëhen ekzaminimet në Francë.

“Për operim vendoset sapo të shkojë ai në Francë”, shtoi Shala.

Zeneli pësoi lëndim në gju në minutën e 31-të të ndeshjes së mbrëmshme në Podgoricë kundër Malit të Zi, që përfundoi me rezultat 1:1. Ai u kthye menjëherë dje në Prishtinë, ku i bëri testet fillestare mjekësore.

Komento: