Konfirmohet nga zyra e Dodikut, Kosova u ftua me fusnotë në Samitin e SEECP-së

00:11 | 24 June 2019

Milorad Donik e ka ftuar Hashim Thaçin në Bosnjë.

Republika e Kosovës, të cilën Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh si shtet të pavarur, është ftuar me fusnotë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryesuesit të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, për mediat serbe.

Me rastin e pohimeve se Dodik kishte dërguar një ftesë zyrtare për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për të ardhur në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, kabineti tha se anëtarët e Samitit i ftuan presidentët e vendeve pjesëmarrëse, dhe jo Dodik.

Pjesëmarrja e Kosovës në SEECP, siç u theksua në kabinetin Dodik, u zgjidh në vitin 2014 me pëlqimin e të gjithë atyre pjesëmarrësve që nuk e njohin Kosovën: Serbia, Greqia, Rumania, Moldavia dhe BeH.

Kabineti i Dodik ka bërë të ditur se Presidenca e Bosnjë dhe Hercegovinës nuk ka ftuar Republikën e Kosovës, por atë e ka definuar me fusnotë.

Më herët, portali i lajmeve nga Bosnja dhe Hercegovina, Klix.ba, raportoi se Dodik i ka çuar një ftesë zyrtare Thaçit, për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

I njëjti ka pohuar se Thaçi do të vendosë javën e ardhshme nëse do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Dodikut.

Presidenti i Kosovës kishte refuzuar të merrte pjesë në konferencën e përvitshme të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Sarajevë, muajin e kaluar, për shkak se Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur e sovran.

Samiti do të nisë më 1 korrik, dhe raportohet se është planifikuar që ministrat dhe presidentët e vendeve të Evropës Juglindore të takohen në malin e Jahorinës dhe në ndërtesën e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Sipas Klix.ba, presidentët e vendeve të rajonit do të priten me një qilim të kuq, para ndërtesës së Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, ku do të jenë të vendosura Forcat e Armatosura të vendit.

Dodik ia ka çuar ftesën Thaçit nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, ka raportuar ky portal.

Përveç presidentëve të vendeve të rajonit, Dodik i ka ftuar edhe ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve.

Komento: